Larijani thotë se nuk do të negociojë me SHBA-në
Kryetari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se Teherani "nuk do të negociojë" me Uashingtonin.
Ai i bëri komentet disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të vazhdojë t'i ndëshkojë "terroristët" me "forcën e plotë" të ushtrisë amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Larijani shkroi:
"Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten".
Të dielën, në një video gjashtëminutëshe që postoi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se lufta kundër Iranit mund të zgjasë katër javë, megjithëse u duk se e la derën hapur për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit mbijetues në Teheran.
"Në 36 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po kryejnë Operacionin Tërbimi Epik - një nga ofensivat ushtarake më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë", tha Trump.
Ai shtoi se operacionet luftarake në Iran "po vazhdojnë me forcë të plotë" dhe "do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat tona".
Raportohet për sulm në zonën e Ambasadës amerikane në Kuvajt
Ambasada amerikane në Kuvajt u bëri thirrje njerëzve që të shmangin shkuarjen në ambasadë dhe të strehohen në shtëpi.
"Mos ejani në ambasadë", thuhet në udhëzimet e publikuara në faqen e saj të internetit.
"Strehonu në banesën tuaj në katin më të ulët të disponueshëm dhe larg dritareve. Mos dilni jashtë".
Ambasada u bëri thirrje edhe qytetarëve amerikanë në Kuvajt, që "të strehohen në vend të sigurt, t'i rishikojnë planet e sigurisë në rast të sulmit dhe të qëndrojnë vigjilentë në rast të sulmeve të mëtejshme në të ardhmen".
Më herët, pamjet e shpërndara nga agjencia e lajmeve AFP treguan tym të zi pranë Ambasadës amerikane në Kuvajt.
Zjarrfikësit dhe autoambulancat janë parë në zonë, raporton Reuters.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, konfirmoi refuzimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, premtoi ta ndëshkojë Teheranin me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
- Raketa dhe dronë iranianë goditën vende të Gjirit Persik që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Kuvajtin, Katarin dhe Bahrejnin, duke shkaktuar dëme materiale dhe tensione të larta.
- Izraeli goditi objektiva të Hezbollahut në Liban, pas një sulmi me raketa dhe dronë nga grupi i mbështetur nga Irani drejt veriut të Izraelit.
- Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi për nevojën e mbrojtjes së spitaleve dhe tha se OBSH-ja po heton dëmet që sulmet izraelite dhe amerikane dyshohet se kanë shkaktuar në një spital në Teheran.
- Baza britanike RAF Akrotiri në Qipro mori masa për shpërndarjen e përkohshme të personelit jothelbësor, pas një sulmi të dyshuar me dron, ndërsa objektet e tjera në zonë funksionojnë normalisht.
Disa avionë ushtarakë amerikanë rrëzohen në Kuvajt, ekuipazhet shpëtojnë
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit njoftoi se disa avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan mëngjesin e së hënës në territorin e këtij vendi, por se pilotët dhe ekuipazhet shpëtuan.
Autoritetet nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekuipazhet u evakuuan dhe u dërguan në spital për kontrolle shëndetësore dhe trajtim të nevojshëm.
Zëdhënësi shtoi se ka pasur koordinim të drejtpërdrejtë me forcat amerikane për detajet e incidentit dhe se janë marrë disa masa të përbashkëta teknike.
Sipas tij, autoritetet po vazhdojnë të hetojnë, për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.
Deri tani, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara - Centcom nuk ka reaguar për këtë incident.