Ndërlidhjet

Vazhdojnë luftimet në Sudan


Shpërthimet në Sudan më 16 prill 2023.
Shpërthimet në Sudan më 16 prill 2023.

Shpërthimet kanë goditur kryeqytetin sudanez, Kartum, më 18 prill, teksa luftimet kanë hyrë në ditën e katërt, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare që t’iu jepet fund armiqësive.

Deri më tani, gati 200 persona janë vrarë në katër ditët e konfliktit.

Luftimet po zhvillohen ndërmjet forcave të dy gjeneralëve rivalë që morën pushtetin përmes një grushtshteti më 2021: shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, që komandon grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Luftimet po zhvillohen në mbarë Sudanin dhe është rritur frika se ky konflikt mund të përhapet në mbarë rajonin, teksa në Sudan po kryhen sulme ajrore dhe ka luftime me artileri të rëndë.

Përmes një deklarate, ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) paralajmëruam se luftimet “kërcënojnë sigurinë e civilëve sudanezë dhe minojnë përpjekjet për të rivendosur tranzicionin demokratik në Sudan”.

Por, pavarësisht thirrjeve të tyre që palët t’u japin fund armiqësive, mëngjesin e së martës janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në Kartum, ku milicitë dhe ushtarët po luftojnë.

“Bombardimet zakonisht nisin rreth orës 04:00 dhe vazhdojnë për disa orë. Por, sot ato nuk kanë ndaluar”, tha banorja e Kartumit, Dallia Mohamed Abdelmoniem.

Ajo tregoi se familja e saj, sikurse edhe banorët e tjerë të kryeqytetit, po strehohen në shtëpitë e tyre.

Harta e Sudanit
Harta e Sudanit


Teksa luftimet po vazhdojnë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me të dy gjeneralët dhe gjatë bisedave ka theksuar “për nevojën urgjente për një armëpushim”.

Daglo tha në Twitter pas bisedës me Blinkenin se forcat e tij kanë miratuar një armëpushim 24-orësh, që do t’u lejonte civilëve të evakuonin të plagosurit.

Megjithatë, ushtria e mohoi këtë pretendim.

“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë koordinim me ndërmjetësit dhe me komunitetin ndërkombëtar për ndonjë armëpushim. Po ashtu, deklarata e rebelëve për një armëpushim 24-orësh synon që të fshehë goditjen që do të marrin nga ne brenda orësh”, tha ushtria.

Në Sudan, teksa luftimet po vazhdojnë, SHBA-ja ka deklaruar se një autokolonë diplomatike amerikan ka qenë cak i sulmit, por nuk ka pasur të lënduar. Po ashtu, ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan është sulmuar në shtëpinë e tij në Kartum të hënën.

Luftimet nisën të shtunën pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gjeneralëve Burhan dhe Dalgo lidhur me integrimin e planifikuar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt. Ky është një prej kushteve kyçe të një marrëveshjeje finale që synon t’i japë fund krizës së shkaktuar që nga puçi ushtarak i vitit 2021.

Të dyja palët e përfshira në konflikt pretendojnë se kanë nën kontroll vende kyçe, përfshirë edhe aeroportin në Kartum dhe pallatin presidencial, por këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG