Mbi 130 të shpëtuar nga rrënojat e teatrit në Mriupol
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se është duke vazhduar shpëtimi i njerëzve nga rrënojat e teatrit të bombarduar në Mariupol nga forcat ruse. Ai tha se deri më tani janë gjetur 130 të mbijetuar.
Në një adresim në internet, Zelensky tha se bombardimet nga forcat ruse vazhduan të pengonin autoritetet që të krijonin korridore efektive humanitare në Mariupol.
"Më shumë se 130 njerëz janë shpëtuar. Por qindra banorë të Mariupolit janë ende nën rrënoja," tha Zelenski në një adresim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ai premtoi gjithashtu se operacionet e shpëtimit në Mariupol do të vazhdojnë pavarësisht granatimeve.
Në tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë, Putin lavdëron aksionin për pushtim të Ukrainës
Të premten, në një paraqitje të rrallë publike, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u shfaq në një skenë para dhjetëra-mijëra rusëve për të festuar tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë nga Ukraina.
Në ngjarjen që u zhvillua në stadiumin e qytetit të Moskës, para dhjetëra-mijëra rusëve Putin, lavdëroi aksionin ushtarak për pushtimin e Ukrainës.
“Krah për krah, ata ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin”, tha Putin para masës.
Biden dhe Xi kundërshtojnë ngjarjet në Ukrainë
Presidenti amerikan, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë përmes videolidhjes me presidentin kinez, Xi Jinping. Mediat raportojnë se presidenti kinez Xi, ka thënë se lufta që po ndodh në Ukrainë nuk është në interes të askujt.
“Kriza në Ukrainë është diçka që ne nuk duam ta shohim”, citohet të ketë thënë Xi, raporton Reuters.
Cilat janë zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë?
Shkatërrohet centrali për riparim të aeroplanëve: Rusia ka nisur disa raketa afër aeroportit ndërkombëtar të Lvivit, në perëndim të Ukrainës, duke shkatërruar një central për riparim të aeroplanëve, kanë thënë autoritetet lokale. Lvivi është qytet afër kufirit polak dhe është konsideruar strehë e sigurt për mijëra refugjatë
Bombardohen qytete tjera: Disa qytete janë përballur po ashtu me sulme ajrore. Në qytetin lindor Harkiv, një ndërtesë universiteti dhe dy blloqe të banesave janë bombarduar, duke lënë të vdekur një person dhe dy plagosur 11 të tjerë. Më në jug, në Kramatorsk, dy persona janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në një sulm me raketa. Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, një person është vrarë pasi një raketë e rrëzuar ka shpërthyer në një lagje banimi
Shtrëngohet laku në Mariupol: Rusia ka thënë se separatistët në lindje të Ukrainës, me ndihmën e forcave të armatosura, janë duke “shtrënguar lakun” rreth qytetit të Mariupolit, në jug të Ukrainës. Mijëra civilë besohet se janë të bllokuar atje
Shpëtohen disa të mbijetuar nga teatri: Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë nisur të dalin civilët e parë nga një teatër i bombarduar nga forcat ruse. Ata janë futur në bodrumin e teatrit për t’iu ikur sulmeve ruse. Deri më tani besohet se janë shpëtuar 130 persona
Dy milionë njerëz kalojnë kufirin me Poloninë: Garda kufitare e Polonisë ka thënë që më shumë se dy milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar kufirin, shumica prej tyre gra dhe fëmijë
Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë: Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik. Ndërkohë, Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti. Moska është zotuar se do të përgjigjet
Britania bllokon RT-në: Rregullatori britanik, Ofcom, i ka hequr licencën kanalit rus, që financohet nga shteti, RT
“Abuzim pervers i pushtetit": Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë