Të premten, mbi 9.000 të evakuuar nga luftimet në Ukrainë
Gjithsej 9,145 njerëz u evakuuan nga qytetet e Ukrainës përmes korridoreve humanitare të premten, tha një zyrtar i lartë. Ky është një përmirësim në krahasim me një ditë më parë kur u evakuuan pak më shumë se 3,800 njerëz.
Zëvendësshefi i Shtabit të Presidentit të Ukrainës, Kirilo Tymoshenko, tha se 4,972 njerëz ishin larguar nga Mariupoli, qytet ky i rrethuar.
Rreth 400,000 njerëz janë bllokuar në qytetin strategjik për më shumë se dy javë.
FAKT: Më shumë se 3.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
SHBA: Armët për Ukrainën janë vetëm për mbrojtje
Asnjë nga armët që Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë Ukrainës nuk mund të përdoren për të nisur një sulm ndaj një vendi tjetër, tha Shtëpia e Bardhë të premten, duke theksuar se ato janë të destinuara për qëllime mbrojtëse.
Rrëfimi i Dallkut për shokët e mbetur në Ukrainë
Derisa jemi duke raportuar drejtpërsëdrejti për luftimet në Ukrainë, po sjellim tek ju edhe njëherë rrëfimin e ish-futbollistit kosovar, Armend Dallku, i cili tha se po përcjell me shqetësim dhe dhembje luftën ruse në Ukrainë.
Dallku, i cili për më shumë se një dekadë ka jetuar në këtë vend dhe ka luajtur për ekipe futbolli atje, thotë se ka shokë e miq në Ukrainë, që po rrezikohen nga sulmet ruse. Ky material është realizuar nga gazetari i Radios Evropa e Lirë, Taulant Qenaj dhe kameramani, Bujar Tërstena. Fillimisht është publikuar me 12 mars.
Macron telefonon sërish Putinin
Presidenti francez Emmanuel Macron i tha të premten presidentit rus Vladimir Putin se është shumë i shqetësuar për situatën në Mariupol, qytetit ukrainas që është goditur nga granatimet e vazhdueshme gjatë ditëve të fundit.
Sipas një deklarate nga presidencës franceze, Macron "ndau shqetësimin e tij të lart me Presidentin Putin në lidhje me situatën në Mariupol dhe kërkoi edhe një herë një armëpushim të menjëhershëm", u tha në njoftim.