Ukraina thotë se ka vrarë një gjenerallejtënant rus
Një anëtar i ushtrisë ruse është vrarë në qytetin ukrainas Çernobaievka pas sulmeve me artileri, tha të shtunën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook.
Në njoftim thuhet se gjenerallejtënant Andrei Mordivchev, komandant i qarkut jugor të Forcave të Armatosura ruse ka vdekur.
Në njoftimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës po ashtu thuhet se vija e frontit të luftës nuk ka ndryshuar ndjeshëm në 24 orët e fundit, por u shtua se trupat ukrainase kanë arritur të shkatërronin disa kolona me personel ushtarak rus në rajonet Mikolaiv dhe Sumi.
Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ish-presidentët Clinton dhe Bush shprehin mbështetjen e tyre për Ukrainën
Ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton dhe George W. Bush kanë vizituar një kishë ukrainase në Çikago për të shprehur mbështetjen e tyre për popullin ukrainas.
Ata kanë vendosur lule me fjongo ngjyrë të kaltër dhe të verdhë [ngjyrat e flamurit të Ukrainës] në Kishën e Shën Volodimirit dhe Kishën Katolike Olha.
Ish-presidenti Bush ka shkruar në një postim të ndarë në Twitter se “Amerika qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës teksa ata luftojnë për lirinë dhe të ardhmen e tyre”.
Ukraina: Kemi shkatërruar 12 caqe ajrore ruse
Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se mbrojtja e tyre ajrore ka shkatërruar të paktën 12 caqe ajrore ruse: dy avionë, tre helikopterë, tre dronë dhe katër raketa.
Ndërkaq, mediat lokale kanë cituar kreun e këshilltarëve të Presidencës së Ukrainës të ketë shtuar se forcat e armatosura po ashtu kanë goditur gjashtë bazën ajrore Çornobaivka, ku Rusia ka vendosur flotën e saj.
Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rifillojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve të lidhura me luftën në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën ka bërë thirrje për paqe kuptimplotë dhe bisedime të sigurisë “pa vonesa” me Moskën.
Ai tha se ky është shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin për gabimin e saj në pushtimin e Ukrainës.
“Ky është shansi i vetëm për Rusinë për të zvogëluar dëmin nga gabimi i saj”, tha Zelensky në një video të postuar në rrjetet sociale.
“Është koha të takohemi, është koha të bisedojmë, është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t’iu duhen breza për t’u rikuperuar”, shtoi ai.