Rusia mohon që astronautët bartin ngjyrën e verdhë si mbështetje për Ukrainës
Agjencia ruse e hapësirës ka hedhur poshtë raportet e mediave perëndimore që sugjerojnë se kozmonautët rusë që iu bashkuan Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) zgjodhën të veshin kostume të verdha me zbukurime blu në mbështetje të Ukrainës.
“Ndonjëherë e verdha është vetëm e verdhë”, tha shërbimi për shtyp i Roscosmos në kanalin e tij Telegram.
“Kostumet e fluturimit të ekuipazhit të ri janë bërë me ngjyrat e stemës së Universitetit teknik shtetëror Bauman të Moskës, në të cilin të tre kozmonautët u diplomuan... Të shohësh flamurin ukrainas kudo dhe në gjithçka është çmenduri”.
Drejtori i përgjithshëm i Roscosmos, Dmitry Rogozin deklaroi në kanalin e tij personal në Telegram se kozmonautët rusë nuk kanë simpati për nacionalistët ukrainas.
Rusia, më 24 shkurt, pushtoi Ukrainën, e cila ka një flamur kaltër-verdhë.
Zelensky për zviceranët: Ngrini llogaritë e oligarkëve rusë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Qeverisë së Zvicrës që të ngijë llogaritë bankare të të gjithë oligarkëve rus.
Transmetuesi publik zviceran SRF raportoi se Zelensky, i cili të shtunën, përmes një video-lidhjeje iu drejtua mijëra protestuesve kundër luftës në qytetin zviceran të Bernës, tha se “bankat tuaja kanë fondet e njerëzve që filluan këtë luftë. Ndihmoni luftën kundër kësaj”.
SRF gjithashtu raportoi se presidenti ukrainas kritikoi konglomeratin shumëkombësh zviceran të ushqimit Nestle, i cili ndryshe nga shumë kompani të tjera ndërkombëtare, vendosi të mos tërhiqet nga Rusia, tani për tani.
Ukraina evakuoi 190,000 civilë nga zonat e luftës
Ukraina ka evakuuar 190,000 civilë nga zonat e luftës, përmes korridoreve humanitare, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk, raporton Reuters.
Ajo tha se korridoret në Kiev dhe rajonin e Luhanskut funksionuan të shtunën, por se korridori i planifikuar deri te qyteti port i rrethuar lindor, Mariupol, ishte vetëm pjesërisht funksional dhe trupat ruse nuk i lejuan autobusët të kalonin.
Atletja ukrainase fitoi medaljen e artë në kërcimin së larti në Beograd
Jaroslava Mahuchikh, e cila u detyrua të linte shtëpinë e saj pas pushtimit rus të Ukrainës, tha se po luftonte për vendin e saj, pasi fitoi medaljen e artë në kërcimin së larti në Kampionatin botëror të atletikës në sallë në Beograd.
Kjo atlete 20-vjeçare, e cila është kampione aktuale evropiane në kërcim së larti dhe fituese e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Tokios, i kaloi ditët duke u fshehur në bodrum, përpara se të arrinte të udhëtonte me makinë deri në Serbi, duke përshkuar gati se 2000 kilometra për tre ditë, raporton Reuters.
Mahuchikh fitoi medaljen e artë me kërcimin prej 2.02 metrash, ndërkaq medaljen e argjendtë e fitoi australiania Eleanor Patterson dhe të bronztën Nadezhda Dubovitskaya nga Kazakistani.
“Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, familjen time, vendin tim”, tha Mahuchikh për BBC Sport.
“Nuk mendoj për garën, stërvitjet. Për mua, ardhja këtu ishte e vështirë - tre ditë me makinë - dhe kërcimi këtu ishte shumë i vështirë në aspektin psikik, sepse zemra ime ka mbetur në vendin tim”.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU