Ukraina tha se 6,623 njerëz u evakuuan të shtunën nga qytetet
Gjithsej 6,623 persona u evakuuan nga qytetet ukrainase përmes korridoreve humanitare të shtunën, tha një zyrtar i lartë ukrainas, gjë që është dukshëm më pak se sa numri që arriti të largohej një ditë më parë, raporton Reuters.
Kyrylo Tymoshenko, zëvendësshefi i kabinetit të presidentit, tha në një njoftim online se 4,128 njerëz ishin larguar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Ai tha të premten se 9,145 njerëz, gjatë ditës, arritën të largoheshin nga qytetet në të gjithë vendin.
Papa vizitoi fëmijët refugjatë ukrainas në një spital në Romë
Papa Françesku vizitoi fëmijët ukrainas refugjatët të luftës, të cilët po trajtohen në një spital pediatrik në Romë.
Një nga fotot e publikuara nga Vatikani, tregon Papën duke biseduar me një vajzë me kokën e mbështjellë plotësisht me fashë, raporton Reuters.
Aktualisht, 19 fëmijë ukrainas po trajtohen në dy degë të Spitalit Bambino Gesu për kancer, për sëmundje neurologjike ose lëndime të rënda lufte, të shkaktuara nga shpërthimet, tha Vatikani.
Që nga fillimi i luftës, rreth 50 fëmijë nga Ukraina janë trajtuar në spital.
“Gjaku dhe lotët e fëmijëve, vuajtjet e grave dhe burrave që mbrojnë vendin e tyre ose që ikin nga bombardimet po tronditin ndërgjegjen tonë”, tha në një mesazh Papa, të premten, në një konferencë kishtare në Sllovaki.
Ukraina merr më shumë raketa amerikane
Ukraina do të marrë një dërgesë të re të armëve amerikane brenda pak ditësh, duke përfshirë raketat Javelin dhe Stinger, tha sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov, në një intervistë televizive të shtunën.
“Armët do të gjenden në territorin e vendit tonë së shpejti. Është çështje ditësh”, tha Danilov, raporton Reuters.
Aleatët e Ukrainës kanë dorëzuar dërgesa ajrore me armë për të forcuar ushtrinë e saj, në luftën kundër pushtimit rus. Rusia ka kritikuar dërgesat e tilla nga vendet anëtare të NATO-s.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por hasi në rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase.
OKB: Të paktën 847 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit
Të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, u vranë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt e deri më 18 mars, tha Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).
Po ashtu, sipas OHCHR-së 1,399 civilë të tjerë, duke përfshirë 78 fëmijë, u plagosën, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore.
Shumica e viktimave u shkaktuan nga armët shpërthyese, të tilla si granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë tyta, si dhe nga raketat dhe sulmet ajrore, tha OHCHR-ja.
Besohet se shifrat mund të jenë edhe më të larta, sepse OHCHR nuk ka qenë ende në gjendje të verifikojë raportet për viktimat nga disa qytete të goditura rëndë, thuhet në deklaratë.