Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:15 20.3.2022

Zyrtarët ukrainas: Rusia ka sulmuar një shkollë që strehonte 400 persona

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku 400 persona po strehoheshin.

Sulmi u tha se ka ndodhur të shtunën.

Në një postim në Telegram, këshilli i qytetit tha se ndërtesa e shkollës është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas zyrtarëve, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qenë duke u strehuar në këtë shkollë.

Ende nuk ka njoftime për viktimat e mundshme nga ky sulm.

Për shkak të vështirësive në komunikim me qytetin e rrethuar të Mariupolit, ky lajm nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

08:04 20.3.2022

Analiza e Institutit për Studime të Luftës për pushtimin rus të Ukrainës

Rusia ka bërë vetëm përparim të kufizuar në pushtimin e saj të Ukrainës gjatë ofensivës fillestare, tha Instituti për Studime të Luftës. Kjo organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara, ka bërë një vlerësim lidhur me suksesin e ofensivës fillestare ruse.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore:

  • Po krijohen kushtet që lufta në pjesën më të madhe të Ukrainës të kthehet në një bllokadë që mund të zgjasë me javë ose muaj të tërë
  • Sa më shumë të zgjasë kjo bllokadë, aq më vdekjeprurës mund të bëhet
  • Grupet e vogla të trupave ruse janë të fokusuara në luftime të lokalizuara sesa në nisjen e operacioneve në shkallë të gjerë
  • Nëse bie Mariupoli nën kontrollin e rusëve, ka pak gjasa që Rusia të ketë më shumë trupa për të zhvilluar një fushatë më të gjerë për shkak të shkallës së dëmit të shkaktuar nga luftëtarët ukrainas
  • Forcat ruse me gjasë do ta marrin kontrollin e Mariupolit ose do ta detyrojnë qytetin që të kapitullojë në javët në vazhdim
  • Rusët me gjasë i kanë braktisur planet që ta rrethojnë Kievin nga perëndimi apo ta sulmojnë qytetin nga perëndimi në një të ardhme të afërt
  • Në vend të kësaj, ata me gjasë po dëshirojnë të krijojnë kushte për të vazhduar bombardimet me artileri dhe raketa në Kiev, duke tentuar që ta godasin qendrën e qytetit
  • Mbështetja e vazhdueshme për Kievin nga shtetet perëndimore do të jetë jetike
07:55 20.3.2022

Australia njofton për ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, më 20 mars bëri të ditur për ndihmën shtesë ushtarake humanitare dhe ushtarake që shteti i tij do t’i japë Ukrainës, teksa njoftoi se do të vendosë ndalesë të menjëhershme në eksportet ruse të aluminit dhe mineraleve të aluminit.

“Është e qartë se nevoja e Ukrainës për ndihmë ushtarake mbetet urgjente dhe do të vazhdojë”, tha zyra e Morrison përmes një deklarate për media.

Ndihma ushtarake: Paketa përfshin 15.3 milionë dollarë amerikanë në ndihmë të mbrojtjes ushtarake për Forcat e Armatosura ukrainase, duke e sjellë në 66.3 milionë dollarë ndihmën ushtarake të ofruar nga Australia.

Morrison tha se ndihma do të përfshijë municion dhe pancirë.

Ndihma humanitare: Qeveria australiane tha se do të dhurojë 21.8 milionë dollarë amerikanë ndihmë humanitare që do të përqendrohet në “mbrojtjen e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.

07:42 20.3.2022

Ushtria ukrainase: Rusia po tenton të rigrupohet

Ushtria ukrainase tha të dielën se në vend se të nisin ofensiva të reja, forcat ruse gjerësisht janë të fokusuara në riparimin e pajisjeve të dëmtuara dhe humbjeve të tyre.

Ushtria po ashtu akuzoi Rusinë se “qëllimisht po krijon kushte për krizë humanitare” në zonat ku forcat e saj kanë marrë territorin nën kontroll, duke parandaluar që konvojet me ndihmë të arrinin në Herson të shtunën mbrëma.

Ndërkaq, në një postim të mëhershëm, ushtria pretendoi se ka riparuar linjën e mbrojtjes në disa zona në jug dhe tha se ka ndaluar me sukses ofensivën ruse pranë Iziumit, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.
Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG