Franca nuk përjashton sanksionet ndaj sektorit energjetik të Rusisë
Sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë po dëmtojnë ekonominë ruse dhe presidentin Vladimir Putin, tha të dielën ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Le Maire shtoi se ndalesa e importeve të naftës dhe gazit rus në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një opsion për Parisin.
“Sanksionet po e dëmtojnë shtetin rus dhe po e dëmtojnë Vladimir Putinin”, tha Bruno Le Maire gjatë një interviste për televizionin LCI.
“A duhet të ndërpresim menjëherë blerjen e naftës ruse, apo duhet të presim edhe pak dhe të ndalojmë importin e gazit rus? Presidenti [i Francës, Emmanuel Macron] asnjëherë nuk i ka përjashtuar këto mundësi”, tha ai.
Ukraina thotë se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse
Ukraina pretendoi se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse. Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës shkroi në Facebook se kapiteni i rangut të parë, Andrey Paliy, u vra nga forcat ukrainase gjatë luftimeve të ashpra, edhe pse rrethanat rreth vrasjes së tij janë të paqarta.
Moska ende nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime të Ukrainës, ndërkaq ky informacion nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Paliy ishte zëvendëskomandant i flotës së Detit të Zi të Rusisë dhe besohet se është oficeri i parë i marinës që është vrarë gjatë pushimit rus të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.
Ukraina pretendon se pothuajse 15,000 ushtarë rusë janë vrarë
Zyrtarët e ushtrisë ukrainase kanë pretenduar se pothuajse 15,000 ushtarë rusë janë vrarë që prej nisjes së luftës më 24 shkurt.
Në një postim të publikuar në llogarinë në Facebook të Stafit të Përgjithshëm të Ukrainës, zyrtarët thanë se 14,700 trupa ruse janë vrarë në 25 ditët e luftës.
Po ashtu, Ukraina pretendoi se një numër i madh i pajisjeve ushtarake ruse janë shkatërruar përfshirë rreth 476 tanke, mbi 200 avionë, helikopterë e dronë dhe rreth 1,487 makina të blinduara.
Këto shifra të paraqitura nga autoritetet ukrainase nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, megjithatë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë vlerësuar se të paktën 7,000 trupa ruse janë vrarë në luftime dhe 21,000 të tjerë janë plagosur.
Një nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Evropë thuhet se është shkatërruar
Pas raportimeve të mëhershme për shpërthime në fabrikën e hekurit dhe çelikut në Mariupol, që njihet si fabrika Azovstal, ligjvënësit ukrainas tani po thonë se ajo është “shkatërruar” nga granatimet ruse.
Drejtori i përgjithshëm i Azovstol tha në Telegram tha se fabrika është goditur, por nuk tregoi për shkallën e dëmit të shkaktuar.
Ai tha se punëtorët e fabrikës, që prej fillimit të luftës, kanë ndërmarrë masa sigurie në mënyrë që fabrika të mos përbënte ndonjë rrezik për banorët.
Fabrika e çelikut ka një aset kyç në Mariupol, në Detin Azov, të cilin Moska që dy javë po tenton që ta marrë nën kontroll.