Biden nuk ka plane të vizitojë Ukrainën këtë javë
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden “nuk ka plane” që të udhëtojë në Ukrainë javën që vjen, në një turne evropian gjatë të cilit janë planifikuar disa samite të jashtëzakonshme emergjente.
“Udhëtimi do të përqendrohet në vazhdimin e unifikimit të botës, në mbështetje të popullit ukrainas dhe kundër pushtimit të Ukrainës nga presidenti Putin, por nuk ka plane për të udhëtuar në Ukrainë”, tha Psaki përmes një postimi në Twitter.
Shefi i hekurudhave të Ukrainës: Bjellorusët e ndershëm ndërprenë furnizimet ruse
Aktualisht nuk ka trafik hekurudhor nga Bjellorusia në Ukrainë dhe forcat ruse nuk po përdorin hekurudhat midis dy vendeve për të forcuar forcat e tyre pushtuese në Ukrainë, tha kreu i hekurudhave shtetërore të Ukrainës, Oleksandr Kamyshin.
“Kohët e fundit u kam bërë thirrje hekurudhave bjelloruse që të mos zbatojnë urdhra kriminalë dhe të mos transportojnë forcat ushtarake ruse në drejtim të Ukrainës”, tha Kamyshin për Current Time.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve ushtarake ruse është sjellë në Ukrainë nëpërmjet hekurudhës Homel-Kiev, deklaroi qeveria ukrainase.
“Besoj se në mesin e bjellorusëve - dhe veçanërisht në mesin e punonjësve të hekurudhave- ka ende njerëz të ndershëm. Nuk dëshiroj t’i tradhtoj. Unë u jam mirënjohës atyre për këtë që po ndodh sot... jam i sigurtë që njerëzit e ndershëm në këtë organizatë do të mund të ndalojnë punën e hekurudhave bjelloruse në lidhje me transferimin e pajisjeve ushtarake në drejtim të Ukrainës”, tha Kamyshin.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Zelensky i gatshëm të negociojë me Putinin
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha CNN-in të dielën se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse përpjekja për të negociuar dështon, kjo mund të nënkuptojë se një luftë midis dy vendeve mund të çojë në një “luftë të tretë botërore”.
“Jami gatshëm të negocioj me të. Unë kam qenë i gatshëm në dy vjetët e fundit. Mendoj se nuk mund ta përfundojmë këtë luftë pa negociata”, tha Zelensky.
Ai theksoi se “nëse ekziston vetëm një për qind e shansit që ta ndalojmë këtë luftë, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”. Zelensky tha gjithashtu se “forcat ruse erdhën për të na shfarosur, për të na vrarë”.
“Dhe mund të tregojmë se populli ynë është i dinjitoz dhe se ushtria jonë është në gjendje të japë një goditje të fortë, se është në gjendje të kundërpërgjigjet. Por, për fat të keq, dinjiteti ynë nuk do t’i shpëtojë jetët. Pra, mendoj se duhet të shfrytëzojmë çfarëdo formati, çdo shans për negociata, mundësinë për të biseduar me Putinin. Por nëse këto përpjekje dështojnë, do të thotë se kjo është lufta e tretë botërore”, theksoi, ndër të tjera, Zelensky për CNN-in.
Zyrtari i Mariupolit flet për sulmin ndaj shkollës
Këshilltari i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, Petro Andrushenko, tha se zyrtarët po përpiqen të marrin informacione se sa njerëz fshiheshin në shkollën e artit në atë qytet, e cila në orët e fundit ishte bombarduar nga forcat ruse.
“Për momentin, nuk ka të dhëna të sakta operative se sa njerëz ishin fshehur në strehimore dhe as për numrin e viktimave. Po pres që do të dimë sot, më vonë. Por situata është e vështirë dhe ne nuk e dimë se si do t’i marrim të dhënat”, ka shkruar Andrushenko.
Sipas vlerësimit të mëhershëm nga këshilli i qytetit, rreth 400 njerëz ishin strehuar në shkollën që shërbente si strehimore.