Rusia me notë proteste ndaj SHBA-së për cilësimin e Putinit si “kriminel lufte”
Ministria e Jashtme e Rusisë e ka ftuar në bisedë ambasadorin amerikan në Rusi, John Sullivan, pas deklaratave të bëra së fundmi nga presidenti Joe Biden, i cili e quajti presidentin rus, Vladimir Putin, “kriminel lufte” për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ministria tha përmes një deklarate më 21 mars se lëshoi një demarsh dhe i dorëzoi një notë proteste Sullivanit “në lidhje me deklaratat e papranueshme të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, në lidhje me presidentin e Rusisë”.
“Deklarata të tilla të bëra nga një president amerikan, të cilat nuk janë të denja për një burrështetas, kanë vendosur raportet ruso-amerikane në prag të prishjes”, thuhet në deklaratë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Nënat e ushtarëve rusë i kërkojnë djemtë në Ukrainë
Khrystyna punon në një linjë të ndihmës, të krijuar nga autoritetet ukrainase, për t’iu ofruar informata familjeve të ushtarëve rusë, të zhdukur gjatë luftës. Thirrjet e tyre janë lutje të dëshpëruara për ndihmë, shpesh të shoqëruara me kërkim-falje. Në dy prej thirrjeve, dy gra në Ukrainë po i kërkonin vëllezërit e tyre, në ushtrinë pushtuese ruse. Njëra prej tyre pyeti: “A po lufton vëllai im kundër nesh?”.
Zyrtarët ukrainas: Rusia ka granatuar qytetit e Odesës
Autoritetet në qytetin më të madh port të Ukrainës, Odesa, thanë se forcat detare ruse në Detin e Zi kanë granatuar disa ndërtesa banimi në periferi të qytetit.
Kjo është hera e parë që ndërtesat granatohen në këtë qytet.
Një zëdhënës i administratës rajonale të ushtrisë tha se nuk nga sulmet nuk ka viktima.
Marina ruse e ka bllokuar Odesën, që vlerësohet se është një prej shënjestrave kryesore strategjike dhe simbolike për Rusinë.
Rusia shpall të jashtëligjshëm Facebook-un dhe Instagram-in
Një gjykatë në Moskë ka vendosur që platformat e kompanisë Meta të emërohen si “organizata ekstremiste”, një lëvizje që i bën të jashtëligjshme platformat sociale të kësaj kompanie, Facebook dhe Instagram.
Gjykata tha se ky vendim hyn në fuqi “menjëherë”.
Prokurorët shtetërorë nisën këtë procedurë gjyqësore pasi më 10 mars mediat raportuan se platformat e Meta-s po u lejonin përdoruesve të Facebook-ut dhe Instagram-it në disa shtete që të bënin thirrje për dhunë ndaj rusëve dhe ushtarëve rusë, pasi Moska nisi më 24 shkurt pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU