Inteligjenca ukrainase: Fabrika ruse e tankeve “pezullon operacionet”
Ushtria ukrainase është duke raportuar se kompania që prodhon dhe riparon tanket ruse, ka pezulluar punën në fabrikën që ka në rajonin Çeljabinsk, për shkak të mungesës së pjesëve.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka raportuar se prodhuesi Uralvagonzavod është dashur të ndalë prodhimin në fabrikë, “për shkak të mungesës së pajisjeve të prodhuara jashtë shtetit”.
Kompania ukrainase për informacion dhe konsulencë ushtarake, Defense Express, ka raportuar se Uralvagonzavod është e vetmja fabrikë që kryen montimin e tankeve.
Sipas saj, kjo fabrikë shfrytëzon pjesë të prodhuara nga Perëndimi.
Në mediat ruse nuk është raportuar për diçka të tillë dhe Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë informacionin në deklaratën ukrainase.
Mirëmëngjesi juve që na jeni bashkuar tani!
Këto janë disa prej zhvillimeve kyçe në ditën e 27-të të luftës:
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ka shenja të qarta që presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike dhe atyre biologjike në Ukrainë. Biden ka thënë se lideri rus “është mbështetur për muri” si rezultat i rezistencës ukrainase dhe se ka rrezik që ai mund të zbatojë taktika më të ashpra
- Forcat ruse duket se kanë “ngecur në vend” për shkak të avancimit të kufizuar, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e fundit. Sipas saj Ukraina vazhdon “të zmbrapsë” tentimet ruse për pushtim të qytetit të Mariupolit
- Ukraina ka thënë se edhe 8,000 persona janë evakuuar nga zonat e konfliktit të hënën. Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk ka thënë se aty janë përfshirë rreth 3,000 persona nga Mariupoli
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se shteti i tij nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve nga Rusia – pasi Moska ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve të Mariupolit që të ikin, nëse Ukraina dorëzon qytetin. Ai ka bërë thirrje për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me qëllim të dhënies fund të konfliktit
- Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia ka rritur prezencën ajrore në Ukrainë në 24 orët e fundit
Britania: Forcat ruse “kanë ngecur në vend”
Forcat ruse duket se kanë “ngecur në vend” për shkak të avancimit të kufizuar, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e fundit.
Mirëpo në një postim në Twitter, është thënë se forcat ukrainase kanë vazhduar që të “zmbrapsin” tentimet ruse për të marrë kontrollin e Mariupolit – një nga qytetet ku është luftuar më së shumti prej shpërthimit të luftës.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë me zjarret në disa qytete
Ekipet e shpëtimit në Ukrainë janë duke luftuar për të shuar zjarret dhe për të pastruar rrënojat pas shkatërrimit të banesave në disa qytete të mëdha, ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë.
Puna për kërkim dhe pastrim është duke u kryer në kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe në rajonin Harkiv.
Ekipet kanë luftuar me zjarret edhe në ndërtesa private dhe objekte tjera të bombarduara nga forcat ruse.