Rusia akuzon SHBA-në se po pengon bisedimet me Ukrainën
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të mërkurën akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të pengojnë bisedimet e Moskës me Ukrainën që synojnë t'i japin fund konfliktit pothuajse njëmujor.
"Bisedimet janë të vështira, pala ukrainase ndryshon vazhdimisht pozicionin e saj. Është e vështirë të shmanget përshtypja se kolegët tanë amerikanë kanë ndikimin e tyre," u tha Lavrov studentëve në Moskë, duke pretenduar se SHBA "me sa duket dëshiron të na mbajë në një gjendje ushtarake sa më gjatë”.
Zelensky: Rusia ka ndaluar punëtorët humanitarë drejt Mariupolit
Ukraina ka akuzuar Rusinë për kapjen e 15 punëtorëve të shpëtimit dhe shoferëve nga një autokolonë humanitare që përpiqej të sillte ushqime dhe furnizime të tjera të nevojshme në qytetin port të Mariupolit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky duke folur të martën vonë akuzoi forcat ruse për bllokimin e autokolonës së ndihmës, pavarësisht se ranë dakord për itinerarin paraprakisht.
Arrihet marrëveshje për nëntë korridore humanitare
Në Ukrainë është arritur marrëveshje për të tentuar evakuimin e civilëve të bllokuar në qytetet e Ukrainës përmes nëntë korridoreve humanitare të mërkurën (23 mars) tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Duke sinjalizuar se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje me Rusinë për të krijuar një korridor të sigurtë nga qendra e Mariupolit, ajo tha se njerëzit që dëshironin të largoheshin nga qyteti port i rrethuar do të gjenin transport në zonën e afërt të Berdyanskit.
Arrihet armëpushim lokal në Luhansk
Guvernatori i rajonit Luhansk në Ukrainën lindore tha se është arritur marrëveshja për një armëpushim lokal për evakuimin e civilëve të bllokuar nga luftimet.
Guvernatori Serhiy Gaidai tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se armëpushimi do të hynte në fuqi në orën 9 të mëngjesit sipas orës lokale.