Rusia do të dëbojë diplomatë amerikanë
Agjencia shtetërore e lajmeve ruse tha se Ministria e Jashtme i ka dhënë ambasadës amerikane një listë të diplomatëve amerikanë që Rusia do t’i dëbojë.
Ky njoftim vjen pasi 12 diplomatë rusë u dëbuan nga misioni i tyre në Kombet e Bashkuara në Nju Jork më herët gjatë këtij muaji.
Ministria e Jashtme ruse tha se amerikanëve iu tha se “çdo veprim armiqësor i Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë do të marrë një përgjigje të vendosur dhe të duhur”, raportoi Interfax.
Blinken: Pjesëtarë të forcave ruse kanë kryer krime lufte
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka përcaktuar se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 23 mars.
“Sot, mund të njoftoj se bazuar në informacionet që janë të qasshme aktualisht, Qeveria amerikane vlerëson se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha Blinken përmes një njoftimi.
“Vlerësimi ynë është i bazuar me rishikimin e kujdesshëm të informacioneve që janë të qasshme nga burimet publike dhe ato të inteligjencës”, tha Blinken.
“Sikurse me çdo krim të supozuar, një gjykatë që ka juridiksion mbi krimin është përgjegjëse për përcaktimin e fajit për rastet specifike”, shtoi sekretari.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë zakonisht ndjek penalisht krimet e supozuara të luftës.
SHBA-ja do të prezantojë sanksionet e reja kundër Rusisë më 24 mars
Shtetet e Bashkuara do të prezantojnë më 24 mars paketën e re të sanksioneve të figurave politike dhe oligarkëve të lidhura me Rusinë.
Sanksionet do të prezantohen kur presidenti amerikan, Joe Biden, të marrë pjesë në takimin e liderëve të NATO-s për Ukrainën, tha të mërkurën këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.
Sullivan foli me gazetarët teksa Biden u nis për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s.
Sipas Sullivan, liderët e grupit G7 janë pajtuar që të enjten, më 24 mars, të vendosin sanksione të koordinuara dhe planifikojnë që të lëshojnë një deklaratë të përbashkët.
Shkatërrimi në Mariupol
Një video e incizuar me dron tregon shkatërrimin e gjerë në qytetin-port ukrainas të Mariupolit. Këto pamje u publikuan në rrjetet sociale më 22 mars dhe tregojnë ndërtesa banimi të shkatërruara nga bombardimet ruse. Mijëra civilë mbeten të bllokuar në Mariupol, qytet që është rrethuar nga forcat ruse.