Uniteti i Perëndimit
Presidenti amerikan, Joe Biden u bashkohet të enjten liderëve të Perëndimit në Bruksel në tri samite për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, një muaj pas nisjes së pushtimit.
Një çështje që pritet të diskutohet është edhe gatishmëria e Evropës për t’u përfshirë ushtarakisht në konflikt.
Liderët e NATO-s kanë forcuar krahun lindor me mijëra trupa, bashkë me anije luftarake dhe pajisje tjera për mbrojtje.
Mirëpo jo të gjitha shtetet kanë qenë të gatshme të dërgojnë armë.
NATO-ja e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
Megjithatë, liderët e Perëndimit pritet të marrin vendim nëse Rusia përshkallëzon luftën duke sulmuar konvojin e armëve të Perëndimit, nëse përdor armë kimike apo armë taktike bërthamore.
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rinisim raportimin në kohë reale lidhur me zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.
Më 24 mars është bërë një muaj prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, ai vendimin e tij e quan “operacion special ushtarak”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje njerëzve në gjithë botën që të dalin në rrugë dhe të protestojnë si shenjë mbështetjeje për Ukrainën.
Ai ka thënë se lufta e Rusisë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër lirisë së njerëzve gjithandej – dhe që bota duhet ta ndalë Rusinë.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.
Më poshtë mund të lexoni ngjarjet kryesore që ndodhën gjatë së mërkurës në luftën në Ukrainë:
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për mbajtjen e tubimeve në mbarë botën të enjten, në njëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ai tha se bota duhet ta ndalë Rusinë
- Shtetet e Bashkuara thanë se kanë përcaktuar se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, deklaroi më 23 mars Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake do të rrisë praninë e saj në shtetet e Evropës Lindore. Ai njoftoi se do të dërgohen trupa shtesë në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
- SHBA-ja pritet të njoftojë për sanksionet e reja kundër Rusisë më 24 mars, kur presidenti amerikan, Joe Biden të takohet me liderët e NATO-s. Më 23 mars, Biden arriti në Bruksel, ku përveç takimit me NATO-n do të takohet edhe me udhëheqësit e Bashkimit Evropian me të cilët do të diskutojë për luftën në Ukrainë
- Forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme ndaj forcave ruse në disa qytete dhe është raportuar se kanë arritur të rimarrin territor në perëndim të kryeqytetit, Kiev
- Kryetari i Kievit tha se pothuajse i gjithë territori i qytezës Irpin – që gjendet 20 kilometra nga Kievi – është nën kontrollin e forcave ukrainase
- Forcat ruse kanë vazhduar bombardimin e qytetit të rrethuar të Mariupolit, banorët e së cilit kanë mbetur pa ujë, rrymë dhe ushqim. Vlerësohet se 90 për qind e qytetit është dëmtuar apo shkatërruar
- Dërgesa armësh nga SHBA-ja pritet të arrijnë në Ukrainë brenda ditësh, thanë zyrtarët amerikanë
Zelensky bën thirrje për tubime në mbarë botën më 24 mars
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një video-adresimi, u bëri thirrje qytetarëve në mbarë botën që të protestojnë të enjten, në njëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
“Lufta e Rusisë nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës. Kuptimi i saj është shumë më i gjerë”, tha Zelensky teksa foli në gjuhën angleze.
“Rusia ka nisur luftë kundër lirisë”, tha ai dhe shtoi: “Për Rusinë, ky është vetëm fillimi”.
“Rusia po tenton të mposht lirinë e të gjithë popullsisë të Evropës, e të gjithë popullsisë së botës”.
“Është munduar që të tregojë se vetëm forca ka rëndësi”, shtoi ai.
Zelenksy tha se “bota duhet ta ndalë Rusinë. Bota duhet ta ndalë luftën”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbarë botës që të enjte të dalin në rrugë për të marshuar, duke bartur simbolet ukrainase.
“Dilni në sheshet dhe rrugët tuaja. Bëjeni veten të dukshëm dhe që të dëgjohet zëri juaj. Thoni se njerëzit kanë rëndësi, liria ka rëndësi, paqja ka rëndësi. Ukraina ka rëndësi”, tha ai.