Zelensky: Sulmi në centralin bërthamor mund të ishte sa gjashtë shpërthime të Çernobilit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten se sulmi rus në centralin bërthamor, Zaporizhja, do të mund të rezultonte me shkatërrim të barabartë me “gjashtë shpërthime sikurse të Çernobilit”.
Ai ka nisur adresimin televiziv duke thënë: Popull i Ukrainës! Ne jemi mbijetuar natën që do të mund të ndalte rrjedhën e historisë – historisë së Ukrainës, historisë së Evropës”.
Ai ka thënë se Rusia e ka ditur se çfarë ka qenë duke bërë kur ka sulmuar drejt në central dhe e ka quajtur këtë veprim si “terror të nivelit të padëgjuar”.
“Si është e mundur? A nuk jemi përballur me pasojat e katastrofës së Çernobilit më 1986?”, ka thënë ai duke iu adresuar popullit rus.
Ai u ka bërë thirrje njerëzve “të dalin nëpër rrugë dhe t’i tregojnë Qeverisë se duan të jetojnë”.
Zelensky ka thënë se është duke kontaktuar me liderë botërorë, dhe ka thënë se është i “shokuar” nga zhvillimet rreth centralit.
Putin: Mos vendosni më shumë sanksione ndaj nesh
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë që të mos “ekzagjerojnë situatën”, duke vendosur më shumë sanksione ndaj shtetit të tij.
Presidenti rus ka folur në një takim qeveritar që është transmetuar në kanalin shtetëror Rossiya 24.
“Ne nuk kemi synime të këqija kundër fqinjëve tanë”, ka pretenduar Putin.
Ai ka thënë se Qeveria e tij “nuk sheh nevojë” që fqinjët të marrin veprime shtesë, të cilat do të “bëjnë marrëdhëniet tona edhe më të këqija”.
“Mendoj që secili duhet të mendojë si të normalizojmë marrëdhëniet, të bashkëpunojmë normalisht dhe të zhvillojmë marrëdhënie normalisht”, ka shtuar ai.
Kjo deklaratë vjen pasi ministrat e Jashtëm të Perëndimit janë mbledhur në Bruksel për të shqyrtuar mundësi si të rrisin presionin ndaj Rusisë.
Putin po ashtu ka përsëritur pretendimet paraprake se të gjitha veprimet e marra nga ushtria ruse janë bërë “ekskluzivisht si përgjigje ndaj disa veprimeve jomiqësore kundër Federatës Ruse”.
Kryqi i Kuq: Ukraina përballet me krizë shkatërruese humanitare
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, është duke paralajmëruar se Ukraina përballet me “kriza shkatërruese humanitare”, teksa numri i viktimave rritet dhe spitalet me vështirësi menaxhojnë situatën.
Në një deklaratë të lëshuar nga Gjeneva, Kryqi i Kuq ka thënë se qasja duhet t’i garantohet tani dhe “nuk duhet të vonohet deri në një armëpushim eventual në të ardhmen”.
Në deklaratë janë përmendur obligimet që dalin nga Konventa e Gjenevës, përfshirë ndaljen e sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, qasjen në kujdes shëndetësor, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si dhe mbrojtje të atyre që janë plagosur apo janë burgosur.
Reagimet e liderëve botërorë pas sulmit në centralin bërthamor
Në gjithë botën ka pasur reagime pas sulmit rus në centralin më të madh bërthamor në Zaporizhja, në jug të Ukrainës.
Sulmi ka nxitur zjarr në një ndërtesë administrative, mirëpo vetë centrali është i sigurt – ndonëse nën kontrollin rus.
- “Veprimet e pamatura të presidentit rus, Vladimir Putin mund të kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e gjithë Evropës”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson
- “Nuk është e rrezikshme vetëm për Ukrainën dhe rusët, është e rrezikshme për Evropën, dhe është lojë me zjarrin që vërtet është përtej asaj që ka të bëjë me logjikën apo domosdoshmërinë”, ka thënë Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace
- Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të ndalen menjëherë”, derisa presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Moskës të ndalë aktivitetet rreth zonës
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi demonstron “pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e dhënies fund të saj”
- Në një deklaratë nga kryeministri italian, Mario Draghi, sulmi është konsideruar i “tmerrshëm” dhe “sulm ndaj sigurisë së secilit”, dhe i është bërë thirrje BE-së “të vazhdojë të reagojë me unitet dhe vendosmëri” për të mbështetur Ukrainën
- Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, ka dënuar po ashtu këtë sulm. “Ky lloj i sulmit është çmenduri”, ka thënë ai