Dita e nëntë e luftës në Ukrainë është shënuar me incidente të mëdha.
Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve dhe reagimeve kryesore në orët e fundit.
- Forcat ruse sulmuan termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore duke shkaktuar zjarr të madh që më pas u shua.
- Sipas autoriteteve ukrainase, disa persona janë vrarë apo janë plagosur si pasojë e sulmit te centrali bërthamor.
- Sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë dëm nuk u shkaktua në reaktorët e centralit bërthamor në Zaporizhja
- Forcat ruse bombarduan gjithashtu kryeqytetin e Ukrainës Kiev dhe rrethuan disa qytete të tjera.
- Ukraina thotë se po ndalon avancimin rus në portin Mykolayiv të Detit të Zi.
- Kremlini ka bërë thirrje për unitet kombëtar rus. "Tani nuk është koha për t'u përçarë, tani është koha që të gjithë të bashkohen… dhe natyrisht të bashkohemi rreth presidentit tonë," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
- Të paktën 331 civilë janë konfirmuar të vrarë dhe 675 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, por numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
- Aleatët e NATO-s kundërshtuan kërkesën e Ukrainës për zona të ndaluara për fluturime, duke thënë se një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë do të çonte në një luftë edhe më brutale.
- Rusia kufizoi qasjen në faqet e internetit të disa organizatave të huaja të lajmeve, përfshirë BBC-në për përhapjen e "informacionit të rremë". Parlamenti rus miratoi një ligj që vendos dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e informacionit "të rremë" në lidhje me forcat e armatosura.
Qeveria e Kosovës e interesuar ta mbyllë hapësirën ajrore për Rusinë
Qeveria e Kosovës tha se ka e ka shtruar çështjen e ndalimit të fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me KFOR-in dhe NATO-n.
“Ne jemi shumë të interesuar që ta bëjmë këtë”, deklaroi të premten zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se Qeveria është në koordinim me NATO-n për vendimet e hapat e ardhshëm.
Megjithatë, një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.
Sulmi rus në Çernihiv la 47 të vdekur
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se 47 persona janë vrarë pas një sulmi ajror rus në qytetin verior të Ukrainës, Çernihiv.
“Më 3 mars, 47 persona (38 burra dhe 9 gra) u vranë nga një sulm ajror rus në një zonë të banuar në Çernihiv”, thanë autoritetet lokale në Facebook.
Që kur nisi sulmin ndaj Ukrainës më shumë se një javë më parë, Rusia ka thënë se nuk synon zonat civile megjithëse ka pasur shumë raportime për viktima në mesin e civilëve.
Putin: Kërkesat e Rusisë duhet të plotësohen në bisedimet e paqes
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se ai është i gatshëm të diskutojë mënyrat për t'i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij ... por vetëm nëse plotësohen kushtet që ai ka vendosur që nga fillimi i konfliktit.
Putin i tha Scholzit se ai është i gatshëm të flasë me këdo që dëshiron lirinë në Ukrainë.
"Me kusht që të gjitha kërkesat ruse të përmbushen", tha ai.
Këto kërkesa, të cilat Putini i parashtroi përsëri, përfshijnë: "çmilitarizimin" e Ukrainës; "denazifikimin" e Ukrainës; një status neutral dhe jo-bërthamor për Ukrainën; njohja ndërkombëtare e aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe sovraniteti për rajonet separatiste ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut.