Reagimi i rusëve kur atyre iu shfaqën fotografi nga Ukraina
Shumë rusë po ekspozohen çdo ditë ndaj propagandës nga Kremlini, e cila fsheh shkatërrimin e tmerrshëm dhe vrasjet e njerëzve si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga shteti i tyre, Rusia. Në videon më poshtë mund të shihni se si reaguan rusët e zakonshëm, në Perm dhe në Vladivostok, kur gazetarët e Current Time, projekt i Radios Evropa e Lirë, iu shfaqën atyre disa fotografi.
Stafi i centraleve bërthamore në Ukrainë "po mbahet peng"
Stafi i centraleve bërthamore ukrainase, në Zaporizhja dhe Çernobil, po mbahet peng nga forcat ruse, dhe po punon nën kërcënimin e armëve, sipas ish-udhëheqësit të inspektoratit bërthamor në Ukrainë.
Shtetet e G7-tës dënojnë sulmin ndaj civilëve të Ukrainës
Ministrat e Jashtëm të G7-tës thanë të premten se ishin "thellësisht të shqetësuar" me pasojat humanitare nga "sulmet e vazhdueshme të Rusisë" kundër popullsisë civile të Ukrainës.
Ata shtuan se do të kërkojnë përgjegjësi për krimet e luftës.
"Ne ritheksojmë se sulmet (pa i kursyer civilët) janë të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Ne do të mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë përdorimin pa kriter të armëve kundër civilëve", thanë ministrat e jashtëm të G7-të në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së
Macron 'jashtëzakonisht i shqetësuar' për sigurinë bërthamore në Ukrainë
Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu të premten shqetësimin lidhur me sigurinë bërthamore në Ukrainë pasi termocentrali më i madh bërthamor në Evropë u sulmua dhe u kap nga forcat pushtuese ruse.
Macron tha se është "jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet për sigurinë bërthamore, sigurinë dhe zbatimin e masave mbrojtëse ndërkombëtare që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës", tha presidenca franceze në një deklaratë.
Ai shtoi se Franca në orët e ardhshme do të propozojë "masa konkrete" për të garantuar sigurinë e pesë vendeve kryesore bërthamore në Ukrainë pas kapjes së uzinës së Zaporizhjas nga forcat ruse.