Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:06 5.3.2022

Mirëmëngjesi lexues të nderuar! Vazhdojmë blogun tonë lidhur me luftën në Ukrainë.

OKB: Më shumë se 1 milion qytetarë janë larguar tashmë nga Ukraina

Rreth 1.2 milionë njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina pas fillimit të pushtimit rus, njofton Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më shumë se gjysma e këtij numri, hynë në Poloninë fqinje.

Refugjatë nga Ukraina kanë shkuar edhe në Hungari, Moldavi, Sllovaki dhe Rumani.

Nëse situata vazhdon të përkeqësohet, para shihet që rreth 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina. Popullsia totale e Ukrainës para pushtimit ishte rreth 44 milionë.

07:14 5.3.2022

Dhjetë ditë luftë në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 10-të.

Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson.

Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë.

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

07:43 5.3.2022

Samsung ndalon dërgesat në Rusi për shkak të sulmit ndaj Ukrainës

Firma jug-koreane Samsung ka ndaluar dërgesat në Rusi, si pasojë e sulmit rus ndaj Ukrainës.

Dërgesat në Rusi janë pezulluar “për shkak të zhvillimeve aktuale gjeopolitike”, tha Samsung në një deklaratë të shtunën.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë në mënyrë aktive këtë situatë komplekse për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

Kompania bëri të ditur se do të dhurojë 6 milionë dollarë për të ndihmuar refugjatët.

07:55 5.3.2022

Helikopterët rusë sulmojnë qytetin e Mariupolit

BBC ka arritur të verifikojë disa pamje të helikopterëve rusë duke sulmuar qytetin e Mariupolit, i cili është nën rrethim që nga e enjtja.

Qyteti jugor, me më shumë se 400 mijë banorë, është afër kufirit rus dhe është kyç për krijimin e një korridori tokësor që lejon rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia të bashkojnë forcat në Krime.

Në këtë qytet, furnizimet me energji dhe ujë janë ndërprerë në mes të një sulmi të vazhdueshëm bombardimesh.

Zyrtarët e qytetit kanë paralajmëruar për një krizë humanitare.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG