Nga 6 marsi, Ukraina do të importojë gaz nga Polonia
Duke filluar nga 6 marsi, Ukraina do të mund të importojë gaz nga Polonia, përfshirë gazin nga terminalet polake, tha të shtunën operatori shtetëror i sistemit të tranzitit të gazit ukrainas.
Ukraina, një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në Evropë, nuk ka importuar gaz nga Rusia që nga viti 2015 dhe e blen atë në Evropë.
Erdogan do të bisedojë me Putinin për sulmin në Ukrainë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të flasë të dielën (më 6 mars) me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, duke shtuar se Turqia është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e krizës.
Duke folur me gazetarët në Stamboll, Kalin përsëriti ofertën e Turqisë për të qenë nikoqir i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Kalin bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe përsëriti se Turqia nuk mund të braktisë lidhjet as me Moskën dhe as me Kievin.
Britania e Madhe do të përshpejtojë sanksionet kundër rusëve
Britania e Madhe do të mund të lëvizë më shpejt sa i përket sanksionimit të biznesmenëve rusë, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, tha kryeministri britanik Boris Johnson, duke shtuar se masat e reja ligjore do të dërgohen në parlament javën e ardhshme.
I pyetur nga korrespondentët e huaj në Londër se pse Roman Abramovich, biznesmeni rus i profilit më të lartë në Britani për shkak të pronësisë së tij të Klubit të Futbollit Chelsea, nuk ishte sanksionuar, Johnson tha se qeveria duhej të jetë e kujdesshme.
“Nuk ka kuptim të thuhet, po, ne do të marrim masa ndaj tij, dhe më pas të përballemi me avokatët e tij. Kështu që ne duhet ta kuptojmë siç duhet. Ne gjithashtu po përpiqemi të mos e bëjmë këtë vetëm për një individ”, tha Johnson.
Britania është kritikuar se nuk ka lëvizur aq shpejt me sanksionet kundër individëve siç ka bërë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Protestë kundër pushtimit të qytetit Herson
Derisa në të gjithë botën po zhvillohen protesta kundër luftës në Ukrainë, një protestë tjetër po zhvillohet në Herson, qyteti ukrainas i pushtuar nga Rusia.
Rreth 2,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar mëngjesin e sotëm.
Ata marshuan nëpër qendrën e qytetit, duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar himnin kombëtar të Ukrainës, ndërsa thërrisnin “Rusë shkoni në shtëpi” dhe “Hersoni është Ukrainë”.
Postblloqe ushtarake ruse janë ngritur në të gjithë qytetin dhe ndalojnë çdo shofer që kalon.