Pse nuk mund të ketë zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë?
Pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, më 4 mars, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se avionët e saj nuk duhet të fluturojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës gjatë konfliktit me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi këtë vend.
Udhëheqësit perëndimorë, deri më tani, e kanë hedhur poshtë idenë, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim më të madh të luftës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ekspertët ushtarakë shpjegojnë se çfarë është zona e ndalim-fluturimit, çfarë duhet për ta zbatuar atë dhe përse situata në Ukrainë është ndryshe nga lufta në Bosnje apo konflikti në Libi.
Për më shumë lexoni këtu.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e dhjetë. Më poshtë, mund të lexoni disa prej zhvillimeve kryesore të ditës së sotme:
- Në orët e para të së shtunës u raportua se helikopterët rusë kanë sulmuar qytetin e Mariupolit, i cili është nën rrethim që nga e enjtja.
- Autoritet enë Ukrainë njoftuan se mbi 66 mijë e 200 burra ukrainas janë kthyer për të luftuar në Ukrainë.
- Rusia dhe Ukraina u pajtuan për një armëpushim të përkohshëm, në mënyrë që qytetarët të evakuohen nga dy qytete ukrainase.
- Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha të shtunën më 5 mars se deri në 9 mijë qytetarë ukrainas mund të largohen nëse armëpushimi qëndron.
- Zyrtarë të Ukrainës i bën thirrje Rusisë që të mos e keqpërdor armëpushimin.
- Evakuimi i qytetarëve nga Mariupoli fillojë në orët e paradites, mirëpo u shty për shkak se siç njoftuan zyrtarët ukrainas, forcat ruse kanë vazhduar granatimet në këtë rajon.
- Sipas të dhënave nga shteti polak, afër 800 mijë refugjatë ukrainas të ikur nga lufta që ka filluar më 24 shkurt, kanë arritur në Poloni.
Putin thotë se nuk ka plane për të shpallur gjendje lufte
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nuk ka plane që të shpallë gjendje lufte në Rusi.
Gjatë një takimi me punëtorët e kompanisë ajrore ruse, Aeroflot, presidenti rus tha se një vendim i tillë do të ndërmerrej vetëm në “rast të agresionit të jashtëm, në zona të përcaktuara të aktivitetit ushtarak”.
“Por, ne nuk kemi një situatë të tillë dhe shpresoj që të mos kemi një të tillë”, tha ai.
Ka pasur zëra se Putini po planifikonte që të vinte në fuqi ligjin ushtarak – që nënkupton që ligji normal civil pezullohet ose ushtria merr kontrollin e funksioneve të Qeverisë.
Putin tha se masa të tjera të jashtëzakonshme që mund të përdoren në rast të një “kërcënimi të jashtëm të shkallës së gjerë”, por ai tha se nuk e ka në plan që të ndërmarrë as këto masa.
Aeroflot anulon të gjitha fluturime ndërkombëtare, përveç për në Bjellorusi
Kompania ajrore e Rusisë, Aeroflot, nga 8 marsi do të anulojë pothuajse të gjitha fluturimet ndërkombëtare, për shkak të siç tha, “rrethanave shtesë” që po pengojnë operacionet e saj.
Kjo kompani tha se fluturimet brenda Rusisë dhe Bjellorusi nuk do të preken nga ky vendim.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë ndaluar të gjitha linjat ajrore ruse në hapësirat e tyre ajrore.
Rusia po ashtu është kundërpërgjigjur duke vendosur kufizime në hapësirën e saj ajrore.
Sanksionet ndërkombëtare po ashtu janë vendosur edhe ndaj industrisë së kompanive ajrore të Rusisë, duke ia bërë të vështirë Aeroflot dhe kompanive të tjera ruse që të operojnë normalisht.