Abazoviq njofton për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë
Zëvendëskryeministri, njëherësh mandatari për Qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka biseduar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Malit të Zi, Abazoviq ka thënë se shteti i tij qëndron me aleatët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të mbrojtur vlerat e civilizimit.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë sanksionet në mënyrë që të ndjekë plotësisht politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të ndërmarrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe siguria e shtetit, ne po ndërmarrim veprime që kanë për qëllim të luftojnë ndikimin malinj në Mal të Zi, që më herët ka rezultuar me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria për Punë të Jashtme”, ka thënë Abazoviq.
Ukraina fajëson Rusinë për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit
Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit që do të duhej të niste në Mariupol dhe Volnovaka në mëngjesin e së shtunës.
Rusia ka fajësuar “nacionalistët” ukrainas për shkeljen e armëpushimit, që parashihte mundësimin e evakuimit të civilëve përmes korridorit humanitar.
Por, Ministria e Jashtme ukrainase sërish ka fajësuar Rusinë.
MPJ e Ukrainës i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë Rusinë, për atë që e përshkroi si “shkelje të rëndë të marrëveshjeve për hapjen e korridoreve humanitare”.
“Granatimet e vazhdueshme e bëjnë të pamundur hapjen e korridoreve humanitare për evakuim të sigurt të civilëve, për dërgimin e ilaçeve dhe ushqimeve”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një postim në Twitter.
Ukrainasit protestojnë në qytetin e kontrolluar nga forcat ruse
Qindra persona, që kanë mbajtur flamuj ukrainas, janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit Herson, për të kundërshtuar pushtimin rus. Forcat ruse e kanë marrë nën kontroll këtë qytet që gjendet në jug të Ukrainës.
UNHCR: Kriza më e madhe me refugjatë që prej Luftës së Dytë Botërore
Numri i refugjatëve që po ikin nga lufta në Ukrainë shumë shpejt mund të kalojë shifrën prej 1.5 milion, tha Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).
“Kjo është kriza më e shpejt e refugjatëve që kemi parë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, tha kreu i UNHCR-së për agjencinë Reuters.
Afër 1.3 milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre që prej se pushtimi rus nisi më 24 shkurt.
Polonia thuhet se deri më tani ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve.
Numër të madh të refugjatëve kanë pranuar shtetet si Hungaria dhe
Rumania. Por, jo të gjithë refugjatët po qëndrojnë në shtetin e parë që po arrijnë. Shembull në Rumani, nga 200,000 persona që kanë shkuar atje në tetë ditët e para të luftës, 140,000 prej tyre janë larguar për në shtete të tjera dhe rreth 60,000 kanë qëndruar në Rumani, tha UNHCR.