Blinken bisedon me kryediplomatin kinez për luftën në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me “luftën e paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Moskës kundër Ukrainës”.
Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, sekretari Blinken ka thënë se bota po shikon se si shtetet po ngrihen për të mbrojtur parimet bazike të lirisë, vetëvendosjes dhe sovranitetit.
“Ai [sekretari Blinken] theksoi se bota po vepron njëzëri për t’iu përgjigjur agresionit rus, duke siguruar që Moska do të paguajë çmim të lartë”, tha Price.
Kina, një aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, por ka thënë se i “vjen keq” për konfliktin.
Ukraina pret sanksione të reja kundër Rusisë
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha të shtunën se pret rezultate të bisedimeve që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se ai pret që në ditët në vijim të vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe që Ukraina të marrë armë të reja.
Kuleba tha se ishte i frustruar që NATO ka refuzuar të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, duke thënë se një gjë e tillë do të rrisë numrin e viktimave në mesin e civilëve.
Sekretari Blinken dhe ministri Kuleba janë takuar në kufirin midis Polonisë dhe Ukrainës të shtunën, dhe kanë biseduar për përpjekjet e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të izoluar Rusinë, me shpresën që sanksionet do ta detyrojnë Moskën që t’i japë fund luftës.
Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë të hënën rundin e tretë të bisedimeve
Ukraina dhe Rusia do të mbajnë rundin e ri të bisedimeve të hënën, tha zyrtari ukrainas, Davyd Arakhamia.
Arakhamia udhëheq fraksionin parlamentar të partisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy. Ai po ashtu është pjesëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë.
Sipas tij, në takimin e së hënës, palët do të bisedojnë për një marrëveshje armëpushimi dhe për korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
Kryeministri Izraelit takohet me Putinin në Moskë
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky është takimi i dytë që presidenti rus ka zhvilluar me ndonjë liderë të huaj, që prej se forcat e tij nisën pushtimin e Ukrainës dhjetë ditë më parë.
Bennett ende nuk i është bashkuar liderëve ndërkombëtarë në dënimin e ofensivës ruse, duke theksuar se Izraeli ka lidhje të forta si me Moskën ashtu edhe Kievin. Ukraina më herët i ka kërkuar Bennettit që të ndërmjetësojë bisedimet për krizën.
Sipas një zyrtari izraelit, bisedimet midis Bennett dhe Putin në Kremlin kanë zgjatur tre orë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka konfirmuar për agjencitë ruse të lajmeve se dy liderët kanë biseduar për situatën në Ukrainë.
Zyra e Bennett po ashtu ka bërë të ditur se pas takimit me Putinin, ai ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU