Granatimi i banesave në periferi të Kievit
Një zonë e banueshme në Irpin, në veriperëndim të Kievit, ishte cak i granatimeve të vazhdueshme që forcat ruse po kryejnë përreth kryeqytetit ukrainas. Kjo video amatore, e postuar në rrjetet sociale më 4 mars, shfaq granatimet ndaj banesave në këtë zonë.
Kievi: Kemi shkatërruar disa pajisje ushtarake ruse
Forcat ukrainase kanë shkatërruar një numër të makinave ushtarake ruse dhe pajisje të tjera ushtarake me armët e pranuara nga aleatët, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Vetëm sot ne kemi rrëzuar tri avionë sulmues rusë, të cilët po bombardonin qytetet tona, duke përdorur Stingers”, tha Kuleba të shtunën, gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në zonën kufitare me Poloninë.
Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Ukrainën me armë anti-tank dhe me raketa tokë-ajër të llojit Stinger.
Kuleba theksoi se Ukraina ka nevojë për ndihmë të mëtejme ushtarake.
“Ukraina, në çdo formë do ta fitojë këtë luftë, sepse kjo është luftë e popullit për tokën e tyre dhe ne mbrojmë këtë kauzë të drejtë. Pyetja është se cili do të jetë çmimi, çmimi i fitores”, tha ai.
Sipas tij, nëse aleatët vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me armë, “çmimi do të jetë më i vogël”.
Blinken tha se mbështetja për Ukrainën jo vetëm që do të vazhdojë, por do të rritet.
Ministri i Jashtëm ukrainas po ashtu tha se nuk ka pasur asnjë përparim në bisedimet e paqes me palën ruse.
Të dy palët duhet të vazhdojnë bisedime, por askush nuk shkon në negociata “për të pranuar ultimatumet ruse”, tha ai.
Në videon e mëposhtme mund të shikoni momentin kur ushtria ukrainase rrëzoi një avion luftarak rus më 5 mars:
Zelensky i drejtohet SHBA-së: Na dërgoni më shumë avionë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën iu drejtua ligjvënësve amerikanë, të cilëve u kërkoi që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë më shumë avionë për ushtrinë e tij dhe të ndërprenë importet e naftës rus.
Zelensky nisi adresimin e tij përmes video-lidhjes duke u thënë ligjvënësve se kjo mund të jetë hera e fundit që ata e shohin të gjallë, raporton AP.
Ai sërish kërkoi që NATO duhet të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën ose të dërgojë më shumë avionë luftëtarë, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten më mirë.
“Presidenti Zelensky bëri një lutje të dëshpëruar”, tha lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në Ukrainë. Rikthehemi nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë po iu sjellim të përmbledhura zhvillimet kryesore të ditës së dhjetë të luftës në Ukrainë:
- Rusia nuk e respektoi armëpushimin për evakuimin e civilëve nga dy qytete ukrainase
- Ukraina dhe Rusia pritet të bisedojnë të hënën për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi që SHBA-ja t’i dërgonte shtetit të tij dronë dhe avionë luftarakë
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi refugjatët në kufirin Ukrainë-Poloni dhe premtoi afër 3 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën
- Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, u takua në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, për situatën në Ukrainë
- Kievi tha se ka shkatërruar disa pajisje ushtarake ruse duke përdorur armët që i kanë dhuruar aleatët perëndimorë
- Rusia ka vazhduar bombardimet në disa qytete ukrainase përfshirë në Irpin, Mariupol, Sumi dhe Harkiv.
- Luftime të ashpra janë raportuar në veriperëndim të Kievit
- Kievi dhe Harkivi vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Ukrainës pavarësisht se forcat ruse po vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i rrethuar këto dy qytete