Mbi 11 mijë rusë të vrarë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës
Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës thotë se mbi 11,000 trupa ruse janë vrarë që kur filloi pushtimi rus më 24 shkurt.
Një ditë më parë, ky shtab njoftoi për mbi 10 mijë viktima ruse, por nuk raportoi për viktima në Ukrainë.
OBSH: Qendrat shëndetësore në Ukrainë janë sulmuar
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka konfirmuar “disa” sulme në qendrat e kujdesit shëndetësor në Ukrainë dhe po heton të tjera, tha të dielën shefi i agjencisë.
Sulmet shkaktuan vdekje dhe lëndime të shumta, ka shkruar Tedros Adhanom Ghebreyesus në Twitter.
“Sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor ose punëtorëve shkelin neutralitetin mjekësor dhe janë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka shkruar ai.
Blinken premton mbështetjen amerikane në Moldavi
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka premtuar mbështetjen e Amerikës për Moldavinë – ish-republikën e vogël sovjetike me prirje perëndimore – e cila së fundi po përballet me një fluks refugjatësh nga Ukraina dhe po shikon me kujdes luftën e Rusisë me fqinjin e saj.
Blinken u takua të dielën (më 6 mars) me zyrtarë të lartë moldavë, të cilët po bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare në trajtimin e më shumë se 120,000 refugjatëve nga Ukraina që pritet të mbërrijnë në këtë vend.
Po ashtu, Moldavia ka kërkuar siguri kundër agresionit të mundshëm rus.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, më shumë se 230,000 njerëz kanë ikur në Moldavi nga Ukraina.
Për më shumë lexoni këtu.
Sërish do të tentohet evakuimi nga Mariupoli
Një armëpushim i përkohshëm është shpallur në Mariupol nga ora 10:00-21:00 me kohën lokale, ka njoftuar këshilli i qytetit.
Civilët do të mund të evakuohen nga qyteti përgjatë një rruge, për të cilën janë pajtuar Ukraina dhe Rusia.
Një plan i ngjashëm ishte shpallur edhe të shtunën (5 mars), por u shkel menjëherë për shkak të bombardimeve të rinisura nga Rusia.