Zelensky përsërit thirrjen për zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenesky, tha se si pasojë e një sulmi me tetë raketa ruse është shkatërruar aeroporti në Vinistia, në perëndim të vendit.
Përmes një videoje të publikuar në Twitter, ai sërish u bëri thirrje liderëve perëndimorë që të krijojnë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
“Ne e përsërisim çdo ditë: Mbyllni qiellin mbi Ukrainë. Mbylleni për të gjitha raketat ruse, për avionët luftarakë rusë, për të gjithë ata terroristë. Krijoni një zonë ajrore humanitare. Ne jemi njerëz dhe kjo është detyrua juaj humanitare për të na mbrojtur ne, për të mbrojtur njerëzit. Ju mund ta bëni këtë. Nëse nuk e bëni, të paktën mos na jepni avionë që ta mbrojmë veten”, tha ai.
Zelensky të shtunën u ka kërkuar ligjvënësve amerikanë që të dërgojnë avionë dhe dronë nëse NATO nuk do të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
OKB: Deri më tani janë konfirmuar 364 vdekje të civilëve në Ukrainë
Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
OKB tha se edhe 759 civilë të tjerë janë plagosur. Të dhënat janë deri në mesnatën e të shtunës.
Kjo zyrë përdorë metodologji strikte dhe vetëm raporton për numrin e viktimave të konfirmuara.
Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se shifrat reale vlerësohet se janë shumë më të larta, “veçanërisht në territorin e kontrolluar nga Qeveria dhe veçmas në ditët e fundit”. Kjo për shkak se informacionet nga këto zona po vonohen që të arrijnë për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Zyrtarët ukrainas kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të civilëve të vrarë.
Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella për dështimin e evakuimit të civilëve
Për të dytën ditë me radhë, planet për evakuimin e civilëve nga qyteti Mariupol kanë dështuar, kanë thënë zyrtarët ukrainas, teksa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.
Banorët do të duhej të evakuoheshin nga Mariupoli nga ora 10:00 deri në orën 21:00 sipas kohës lokale, në bazë të një marrëveshjeje për armëpushim lokal. Por, këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko, tha se evakuimi është pezulluar për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga trupat ruse.
“Nuk ka ‘korridore të gjelbra’ sepse rusët vendosin vetë se kur do të nisin të shtënat dhe ndaj kujt”, tha ai.
Por, presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar palën ukrainase për dështimin e evakuimit nga Mariupoli, që është qytet port në juglindje të Ukrainës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Marsh në Shkup kundër agresionit rus në Ukrainë
Në sheshin e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut, të dielën u mbajt një marsh kundër agresionit rus dhe në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Protestuesit thanë se lufta duhet të ndalet pasi pasojat po ndjehen kudo, madje edhe në Maqedoninë e Veriut.
“E gjithë Evropa është nën kërcënimin nga një sulm bërthamor. [Presidenti rus, Vladimir] Putini do të bëjë përpjekje të mëdha për të pushtuar Ukrainën. Ai është një monstër dhe synon të hyjë në histori si një pushtues i madh”, tha Aleksandar Urbanviç, anëtar i shoqatës së ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, në marshin kundër "luftës dhe mizorisë pa kufij nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës".
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU