Granatimet në Irpin
Në Irpin, në afërsi të Kievit, civilët janë përballur me granatime ruse, teksa kanë tentuar të ikin. Sipas mediave, të paktën tre civilë janë vrarë si pasojë e granatimeve.
Afër 3,500 protestues kundër luftës në Ukrainë arrestohen në Rusi
Afër 3,500 protestues kundër luftës në Ukrainë raportohet se janë arrestuar të dielën në mbarë Rusinë, ka raportuar agjencia e lajmeve ruse Interfax, duke cituar Ministrinë ruse të Brendshme.
Afër 2,500 persona morën pjesë në një protestë në Moskë, nga të cilët 1,700 janë arrestuar.
Ndërkaq, 1,200 persona të tjerë kanë marrë pjesë në protestat në qytetet e tjera ruse, prej të cilëve, 1,061 janë arrestuar.
Macron bisedon me Putinin për luftën në Ukrainë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Sipas Pallatit Elize, Macron i ka bërë thirrje Putinit që t’i japë fund luftës dhe të sigurohen centralet bërthamroe të Ukrainës, pasi për shkak të granatimeve shpërtheu një zjarr në centralin Zaporizhja. Sipas njoftimit, Putin i tha presidenti francez se Rusia nuk dëshiron që të sulmojë centralet bërthamore.
Putin po ashtu i tha homologut të tij francez se Rusia do të arrijë qëllimet e saj përmes “negociatave ose luftës”, tha Presidenca franceze.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Kremlinit, Putin po ashtu ka fajësuar ukrainasit për incidentin në centralin bërthamor. Ai i ka thënë Macronit se ka pasur “provokim” nga “radikalët ukrainas”.
Ukraina ka fajësuar Rusinë për granatimet në Zaporizhja.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Mbretëria e Bashkuar zotohet se do t’i dërgojë armë shtesë Ukrainës
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është pajtuar që t’i dërgojë pajisje ushtarake mbrojtëse Ukrainës.
Këtë zotim ai e ka bërë gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi një zëdhënës i kryeministrit britanik.
“Liderët kanë biseduar për nevojat urgjente të Forcave të Armatosura ukrainase dhe kryeministri Johnson u zotua se do të punojë me partnerët që Ukrainës t’i dërgohen pajisje shtesë mbrojtëse”, tha ky zëdhënës.
Johnson dhe Zelensky janë pajtuar që sërish të bisedojnë për këtë temë në ditët në vijim.