Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:00 7.3.2022

Mirëmëngjesi për të gjithë!

Ora në Kiev shënon 08:00.

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të takohen sot për një rund të ri bisedimesh, me synim ndaljen e armiqësive në Ukrainë.

Palët janë takuar edhe dy herë të tjera, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por pa ndonjë rezultat konkret.

“Rundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet të hënën”, ka thënë dy ditë më parë negociatori ukrainas, David Arakhamia.

Negociatori rus, Leonid Slutsky, ka thënë se “rundi i tretë mund të zhvillohet në ditët në vijim” dhe se “ka gjasa të zhvillohet të hënën”.

Dy rundet e para të bisedimeve janë mbajtur në Bjellorusi. Më shumë detaje për rundin e sotëm nuk ka ende.

Përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë për lajme në kohë reale.

07:13 7.3.2022

Rusia thotë se do të bëjë armëpushim për evakuimin e civilëve

Rusia do të hapë korridore të reja humanitare nëpër disa qytete të Ukrainës, për të lejuar evakuimin e civilëve, raportojnë mediat shtetërore.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, armëpushimi do të bëhet nga ora 10:00 - sipas kohës lokale - në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Harkiv, Mariupol dhe Sumi.

Të gjitha këto qytete janë duke u sulmuar nga forcat ruse.

Pala ukrainase nuk e ka konfirmuar ende armëpushimin.

Gjatë fundjavës, dy përpjekje për të hapur korridore evakuimi për civilët nga Mariupoli, dështuan.

Zyrtarët ukrainas fajësuan Rusinë, duke thënë se edhe gjatë orëve të dakorduara për armëpushim, ajo vazhdoi bombardimet.

Mariupol
Mariupol

 

07:24 7.3.2022

Rusia po përgatitet për "sulm të gjithanshëm" në Kiev

Zyrtarët e mbrojtjes në Ukrainë paralajmëruan se Rusia po përgatit forcat e saj për të nisur një sulm të gjithanshëm në kryeqytetin Kiev.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se ushtria ruse ka grumbulluar tanke dhe njësi të motorizuara të këmbësorisë, që aktualisht janë në rrugë drejt qytetit të afërt, Irpin.

Në njoftim thuhet se komandantët rusë kanë furnizuar forcat e tyre me karburante të dërguara nga Bjellorusia.

Zyrtarët po ashtu thanë se ushtria ruse po i përqendron përpjekjet e saj edhe në rrethimin e qyteteve lindore, Harkiv dhe Çernihiv, dhe të qytetit jugor, Mikollajiv.

Ushtarët ukrainas ndihmojnë civilët për t'u larguar nga Kievi.
Ushtarët ukrainas ndihmojnë civilët për t'u larguar nga Kievi.

 

07:47 7.3.2022

Mbretëria e Bashkuar ndan edhe 100 milionë dollarë për Ukrainën

Qeveria britanike planifikon t’i japë rreth 100 milionë dollarë Ukrainës, për ta ndihmuar funksionimin e Qeverisë atje, njoftoi Zyra e kryeministrit Boris Johnson.

Sipas njoftimit, financat do të ndihmojnë për pagimin e pensioneve dhe të rrogave të sektorit publik.

Shuma e re vjen jashtë 290 milionë dollarëve që Qeveria britanike i ka ndarë tashmë për Ukrainën.

Paratë do të dorëzohen përmes një fondi të mirëbesimit të Bankës Botërore.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG