Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
11:08 7.3.2022

Kosova paralajmëron strehimin e familjarëve të ushtarëve ukrainas të KFOR-it

Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës, të cilët janë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Kështu bëri të ditur ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, gjatë një raportimi para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.

“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrim”, tha Gërvalla.

Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.

Protestë në Prishtinë, në shenjë solidariteti me popullin e Ukrainës pas pushtimit nga Rusia, më 25 shkurt, 2022.
Protestë në Prishtinë, në shenjë solidariteti me popullin e Ukrainës pas pushtimit nga Rusia, më 25 shkurt, 2022.

 

11:30 7.3.2022

Ukraina kërkon rrugë të tjera të evakuimit

Ukraina tha se Moska po përpiqet të manipulojë bashkësinë ndërkombëtare, duke i detyruar refugjatët nga zonat e konfliktit të evakuohen vetëm në Rusi ose Bjellorusi.

Pak orë më parë, ushtria ruse urdhëroi një armëpushim, për të lejuar evakuimin e civilëve nga kryeqyteti ukrainas, Kievi, dhe qytetet tjera: Mariupol, Harkiv, dhe Sumi.

Një zëdhënës i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas.

“Këta janë qytetarë të Ukrainës, ata duhet të kenë të drejtë të evakuohen në territorin e Ukrainës”, tha zëdhënësi.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Ukraina i bën thirrje Rusisë që të pajtohet për një armëpushim, nga sot, për t’i lejuar ukrainasit të evakuohen drejt qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv.

Harkiv, Ukrainë
Harkiv, Ukrainë

Rrugët e evakuimit të publikuara nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, tregojnë se civilët mund të largohen për në Rusi dhe Bjellorusi.

Korridori nga Kievi çon në Bjellorusi, ndërsa nga Harkivi në Rusi.

Korridoret nga qytetet Mariupol dhe Sumi çojnë në qytetet e tjera të Ukrainës, si dhe në Rusi.

11:49 7.3.2022

Modi kërkon negociata direkte midis Putinit dhe Zelenskyt

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha një burim i Qeverisë në Nju Delhi, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas burimit, Modi bisedoi përmes telefonit edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përpara se të bisedonte për 50 minuta me Putinin.

"Kryeministri Modi i kërkoi presidentit Putin të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin Zelensky", tha burimi, duke refuzuar të identifikohej.

Në bisedë me Zelenskyn, Modi shprehu shqetësim të thellë për konfliktin në Ukrainë dhe krizën humanitare që ka shkaktuar ai, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi - foto arkivi.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi - foto arkivi.

 

11:58 7.3.2022

Blinken: SHBA-ja dhe aleatët, të gatshëm për të përballuar çdo kërcënim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Lituani, tha se Rusia ka bërë përpjekje “të minojë demokracinë e Lituanisë dhe të shkaktojë polarizim me sulme kibernetike dhe dezinformata”.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja dhe Lituania janë të vendosura për t’i qëndruar në krah Ukrainës së pushtuar nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara po e forcojnë “mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha Blinken, andaj, shtoi ai, SHBA-ja dhe aleatët janë të gatshëm “të përballojnë çdo kërcënim”.

Ai theksoi përkushtimin e SHBA-së ndaj Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, i cili thotë se “sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj gjithë aleancës”.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë takimit me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë takimit me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG