Negociatori ukrainas bën thirrje për ndalje të sulmeve ndaj civilëve
Në prag të nisjes së rundit të tretë të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalen sulmet ndaj civilëve.
“Brenda disa minutave, ne do të nisim bisedimet me përfaqësues të një shteti që beson seriozisht se dhuna e shkallës së gjerë kundër civilëve është argument. Vërtetojeni se nuk është kështu”, ka thënë ai në një postim në Twitter.
"Po i vrasin fëmijët": Civilët ukrainas nën sulme të vazhdueshme ruse
Ndërtesat e banimit janë kapluar nga flakët në qytetin jugor ukrainas të Mikolajivit, më 7 mars. Qyteti ndodhet në një rrugë strategjike ndërmjet Hersonit, i cili është i okupuar nga forcat ruse, dhe qytet-portit të Odesës. Banorët e Odesës dhe të Zaporizhjas po përgatiten për t’i mbrojtur qytetet e tyre përballë sulmeve të pritshme ruse. Civilët ndodhen nën sulme të vazhdueshme nëpër Ukrainë, përfshirë në Kramatorsk, në lindje të vendit.
Kanadaja vendos sanksione të reja kundër 10 individëve
Kanadaja ka bërë të ditura sanksione të reja kundër 10 individëve për “bashkëpunim” në “sulmin e paarsyetuar” të Ukrainës.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se në mesin e 10 individëve përfshihen “ish-zyrtarë të lartë qeveritarë dhe zyrtarë aktualë, oligarkë dhe mbështetës të udhëheqësisë ruse”.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson dhe atë të Holandës, Mark Rutte, Trudeau ka shtuar se këta individë janë marrë nga një listë e përpiluar nga lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili tani gjendet në burg.
Truss: Perëndimi “nuk ka vepruar mjaftueshëm herët” ndaj kërcënimit rus
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka thënë se Perëndimi “nuk ka vepruar mjaftueshëm herët” në përgjigjen e tij ndaj vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për pozicionim të trupave në kufi me Ukrainën.
“Realiteti është presidenti Putin nuk i ka marrë seriozisht kërcënimet e parandalimit”, u ka thënë ajo deputetëve.
Me pushtimin në Ukrainë, Truss ka thënë se Rusia ka “shpartalluar arkitekturën e sigurisë së Evropës”.
“Ajo çfarë duhet të bëjmë tani është që të forcojmë NATO-n, na duhet të forcojmë sidomos krahun lindor”, i ka thënë ajo Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin britanik.
“Ne veçse kemi dërguar më shumë trupa në Estoni, mirëpo duhet bërë më shumë. Ne duhet të jemi seriozë për shpenzimet në mbrojtje”.