Edhe Levi’s largohet nga Rusia
Kompania amerikane e xhinseve, Levi’s, ka thënë se po pezullon operacionet në Rusi, pas pushtimit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.
Levi Strauss & Co ka thënë përmes një deklarate më 7 mars se pezullimi pengon edhe investimet e reja në Rusi, derisa kompania ka thënë se do të ndajë mbi 300,000 dollarë amerikanë “në përgjigje të krizës humanitare në Ukrainë, e cila ka rritur numrin e refugjatëve në shtetet e Evropës Lindore”.
Levi’s u është bashkuar një numri në rritje të organizatave dhe bizneseve që kanë ndalur operacionet në Rusi për shkak të luftës, e cila ka larguar më shumë se 1.7 milion njerëz nga Ukraina drejt shteteve fqinje si: Polonia, Hungaria, Rumania dhe Moldavia.
Edhe kompani tjera si Puna, H&M, Zara dhe Ikea kanë marrë vendime të njëjta.
SHBA, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar zotohen për të rritur “koston” ndaj Rusisë
Presidenti amerikan, Joe Biden dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë rikonfirmuar vendosmërinë e tyre për të vazhduar rritjen e kostos për Rusinë, për shkak të pushtimit “të paprovokuar dhe të paarsyetuar” ndaj Ukrainës, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Biden, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, kanë diskutuar përmes video-lidhjes më 7 mars.
Liderët kanë “theksuar përkushtimin e tyre për të vazhduar ofrimin e ndihmës ekonomike dhe humanitare në Ukrainë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.
Rusia: Refuzimi i naftës ruse do të ishte “katastrofik”
Liderët e Perëndimit sikurse kryeministri britanik, Boris Johson, janë duke shtyrë përpara idenë që Evropa të mos jetë e varur nga nafta ruse.
Si përgjigje, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se zëvendësimi i furnizimeve me naftën ruse në Evropë do të merrte më shumë se një vit.
Novak ka thënë se ndalesa në naftën ruse do të çonte në “pasoja katastrofike” për tregjet globale dhe do të rriste çmimet në mbi 300 dollarë për fuçi.
Kjo shifër është më e madhe se dyfish në krahasim me çmimet aktuale.
Pas pikut në 139 dollarë për fuçi në orët e para të së hënës, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, ka rënë më vonë në rreth 125 dollarë për fuçi.
OKB kërkon rrugë të sigurta për civilët në Ukrainë
Shefi i Kombeve të Bashkuara për Ndihma, Martin Griffiths, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të mundësojnë rrugë të sigurta për civilët, ashtu që të largohen nga zonat armiqësore në Ukrainë, në drejtimin që ata duan.
Ai ka bërë thirrje edhe për rrugë të sigurta për dërgim të furnizimeve humanitare.
Griffiths i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se zyra e tij ka dërguar një ekip në Moskë për të punuar në koordinim më të mirë civilo-ushtarak.