India përballet me presion për të marrë qëndrim për luftën në Ukrainë
India deri më tani ka abstenuar votimin në Kombet e Bashkuara kundër Moskës, ndonëse ka bërë thirrje për dialog dhe diplomaci për të zgjidhur këtë situatë.
Në deklaratën e tij, Delhi ka përmendur rëndësinë e integritetit territorial, mirëpo nuk e ka kritikuar Rusinë.
Moska është përgjegjëse për 50 për qind të importeve të Indisë në mbrojtje dhe ka qenë partnere me të në disa tema globale.
Në të njëjtën kohë, lidhjet e Indisë dhe Shtetet e Bashkuara janë forcuar në dy dekadat e fundit.
Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim raportimin në kohë reale për luftën në Ukrainë.
Rikthehemi sërish të martën, 8 mars, nga ora 07:00!
Më poshtë mund të informoheni për zhvillimet kyçe të ditës së 12-të të luftës
- Bombardimet ruse janë duke pamundësuar evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara, ka thënë Ukraina
- Sulmet është thënë se po vazhdojnë pavarësisht një propozimi të Rusisë për të krijuar korridore të sigurta për dalje nga Kievi, Mariupoli, Sumoj dhe Harkivi. Ukraina e ka konsideruar propozimin “të pandershëm”, pasi është kuptuar se shumë rrugë çojnë vetëm në Rusi, apo Bjellorusi
- Dhjetëra mijëra civilë mbesin të bllokuar pa rrymë dhe me pak qasje në ushqim dhe ujë, në qytetet e mëdha sikurse Mariupoli. Dy tentime për t’i evakuuar ata gjatë fundjavës që lamë pas, kanë dështuar
- Rreth 2,000 persona kanë arritur të largohen nga Irpin – rajon në veriperëndim të Kievit, pavarësisht bombardimeve ruse
- Ukraina dhe Rusia kanë mbajtur rundin e tretë të negociatave, mirëpo është raportuar të jetë arritur pak pajtueshmëri. Një rund i katërt është thënë se do të mbahet të martën, 8 mars
- Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar se do të vazhdojnë rritjen e kostos për Rusinë, për luftën e saj në Ukrainë, ka thënë Shtëpia e Bardhë
- Liderët e Perëndimit janë duke çuar përpara idenë që Evropa të mos jetë e varur nga nafta ruse. Rusia ka thënë se refuzimi i naftës së saj do të ishte “katastrofik”
- Çmimet e naftës kanë arritur në nivelin më të lartë në 13 vjetët e fundit për shkak të krizës
Mirëmëngjesi për të gjithë!
Ora në Kiev është 8:02.
Mediat shtetërore ruse raportojnë se ushtria ruse do të shpallë sot armëpushim në Ukrainë dhe thonë se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare për civilët.
Ato citojnë zyrtarë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes të kenë thënë se kjo do të bëhet për të evakuuar civilët nga qytetet e Kievit, Çernihivit, Sumit, Harkivit dhe Mariupolit.
Shumica e rrugëve të evakuimit të ofruara nga Moska janë në Rusi - një kusht që më herët është përshkruar si i papranueshëm nga Qeveria në Kiev.
Ukraina nuk e ka komentuar ende publikisht nismën e re ruse.
Secila përpjekje e deritashme e evakuimit ka dëshuar dhe palët ndërluftuese kanë fajësuar njëra-tjetrën.
*Ju vazhdoni të përcillni edhe sot blogun e Radios Evropa e Lirë për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë.
OKB kërkon korridore të sigurta për civilët në Ukrainë
Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.
OKB-ja dhe partnerët e saj kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e sigurisë e ka bërë të vështirë arritjen në zona të caktuara.
Deklarata vjen pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për pengimin e largimit të sigurt të civilëve.
Ambasadori i Ukrainës në OKB ka akuzuar Rusinë për bombardimin e korridoreve humanitare, duke i bllokuar civilët të iknin në Evropë dhe duke parandaluar dërgimin e ndihmave për shpëtim jetësh.
Por, ambasadori i Rusisë në OKB i ka mohuar akuzat, duke pretenduar - pa ndonjë argument - se Ukraina është ajo që po i pengon korridoret e sigurta për civilë.
Griffiths u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se zyra e tij ka dërguar tashmë një ekip në Moskë, me shpresën se do të arrijë te më të rrezikuarit në Ukrainë.