Macron dhe Scholz do të bisedojnë me presidentin e Kinës
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pritet të zhvillojnë sot një telefonatë të përbashkët me presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Thirrja sinjalizon rritje të presionit mbi Kinën për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Të hënën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, foli me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, për herë të dytë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
Kina ka shprehur “keqardhje” për sulmin, por ka bërë pak për të dënuar apo kundërshtuar Rusinë.
Perëndimi, në anën tjetër, ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë.
Ukraina dhe Rusia merren vesh për korridorin humanitar
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se civilët do të nisin të largohen nga qyteti i rrethuar, Sumi, pas një marrëveshjeje me ushtrinë ruse për hapjen e një “korridori humanitar”.
“Është rënë dakord që kolona e parë të niset në orën 10:00 (sipas kohës lokale), nga qyteti Sumi. Popullsia lokale do të niset me automjete personale”, tha Vereshchuk në një deklaratë televizive.
Sumi, i cili ndodhet pranë kufirit me Rusinë, rreth 350 kilometra në lindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, është bërë cak i bombardimeve intensive ruse.
Së paku nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga një sulm ajror në qytet, thanë të martën shërbimet ukrainase të shpëtimit.
Dmytro Zhyvytskyi, udhëheqës i administratës rajonale të Sumit, tha në një deklaratë të postuar në Facebook se katër ushtarë ukrainas janë vrarë gjithashtu.
Ai e përshkroi situatën si “luftë të pabarabartë me ushtrinë ruse”.
Putin thotë se nuk do të dërgojë rekrutë në Ukrainë
Presidenti i Russië, Vladimir Putin, publikoi një video për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku tha se rekrutët dhe rezervistët nuk po thirren për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.
“Më lejoni të theksoj se ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak, nuk marrin dhe nuk do të marrin pjesë në armiqësi... Për detyrat e caktuara zgjidhen vetëm ushtarakë profesionistë”, tha ai në videon e publikuar më 8 mars.
Mesazhi i tij kishte për qëllim të zbuste shqetësimet e supozuara të grave ruse.
“Unë e kuptoj se sa shqetësoheni për të dashurit tuaj”, tha Putin, duke vlerësuar “besnikërinë dhe mbështetjen” e grave.
“Ju e bëni botën më të mirë falë ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe bujarisë suaj shpirtërore”, shtoi ai.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, me urdhër të Putinit.
Putin ka dhënë urdhrin pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Ukraina është duke iu përgjigjur sulmit rus ushtarë e civilë.
Disa media kanë raportuar se disa rekrutë rusë janë dërguar në luftën në Ukrainë, por REL nuk i ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Rreth 200,000 njerëz pritet të evakuohen nga disa qytete të Ukrainës
Rusia tha të martën se ka hapur korridoret humanitare për të mundësuar evakuimin e civilëve nga disa qytete të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se korridoret u hapën nga ora 10 e mëngjesit - sipas kohës në Moskë - nga Kievi, Çernihivi, Sumi, Harkivi dhe Mariupoli, nga ku pritet të ikin rreth 200,000 njerëz, apo gati gjysma e popullsisë.
Sumi, i cili ndodhet pranë kufirit me Rusinë, rreth 350 kilometra në lindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, është bërë cak i bombardimeve intensive ruse.
Së paku nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga një sulm ajror në qytet, thanë të martën shërbimet ukrainase të shpëtimit.
Rusia po shpall armëpushim për korridoret humanitare, tha Ministria e Mbrojtjes në Moskë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, konfirmoi marrëveshjen me Rusinë për hapjen e një korridori humanitar, që, siç tha, do të mundësojë largimin e civilëve nga qyteti i rrethuar i Ukrainës, Sumi.
Rrugët dhe destinacionet përfundimtare të korridoreve nuk janë ende të qarta.