Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
10:58 8.3.2022

Së paku 21 civilë të vrarë në Sumi

Së paku 21 civilë, përfshirë dy fëmijë, u vranë nga një sulm ajror i ushtrisë ruse në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, tha sot Zyra e prokurorit rajonal.

Sulmi ndodhi të hënën vonë në një lagje të banuar.

Trupat e viktimave u gjetën nga shërbimet e urgjencës herët të martën, tha Zyra e prokurorit.

Autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan sot për hapjen e disa korridoreve humanitare, që do të mundësojnë evakuimin e civilëve.

Një korridor i tillë u hap edhe në qytetin Sumi, i cili ndodhet rreth 350 kilometra në lindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

11:18 8.3.2022

HRW: Rusia mund të ketë thyer ligjet e luftës në Irpin

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, tha se ushtria ruse mund të ketë shkelur ligjet e luftës me sulmin e kryer në qytetin Irpin të Ukrainës.

Për disa orë më 6 mars, forcat ruse kanë bombarduar një kryqëzim rrugësh në qytet, të cilin civilët e kanë përdorur për të ikur nga bombardimet, tha Human Rights Watch.

“Natyra e përsëritur e sulmeve, të cilat sipas Qeverisë [së Ukrainës] kanë vrarë së paku tetë civilë, sugjeron se forcat ruse kanë shkelur detyrimet e tyre me ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer sulme joproporcionale që dëmtojnë civilët”, tha organizata.

Irpin, 6 mars, 2022.
Irpin, 6 mars, 2022.

 

Irpini është një qytet i vogël që ndodhet në perëndim të Kievit.

Të martën, autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan për hapjen e disa korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.

Një korridor i tillë u hap edhe në Irpin dhe guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, konfirmoi evakuimin e qindra civilëve nga qyteti.

11:32 8.3.2022

Pse Ukrainës i duhen avionët e huaj?

SHBA-ja po shqyrton propozimin, sipas të cilit, shteti fqinj i Ukrainës, Polonia, ta furnizojë Kievin me avionë luftarakë të kohës sovjetike dhe në këmbim të marrë avionë amerikanë.

Për më shumë, lexoni këtu.

11:52 8.3.2022

Ministri britanik: Pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e Putinit

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e presidentit rus, Vladimir Putin.

Wallace tha se forcat ruse, që janë angazhuar në pushtimin e Ukrainës, janë “rraskapitur” tashmë nga rezistenca e forcave lokale.

Ai tha se ushtria ruse po përballet me probleme logjistike dhe ka pësuar mijëra humbje në 13 ditët e para të pushtimit.

Wallace shtoi se është “detyrë e pamundur” të pushtosh një vend me 44 milionë banorë.

“Ky do të jetë fundi i Putinit dhe kështu duhet të jetë”, tha Wallace për BBC-në.

Sipas tij, Putin është tashmë “një forcë e shpenzuar” në botën e gjerë, sepse komuniteti ndërkombëtar ka konstatuar se pushtimi i Ukrainës dhe katastrofa humanitare që ai ka shkaktuar, “janë të papranueshme”.

Sanksionet ndërkombëtare, të vendosura ndaj Rusisë, “po e zvogëlojnë ekonominë e tij në zero” dhe Putin “është përgjegjës për këtë”, tha Wallace.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG