Shell tërhiqet nga Rusia
Gjiganti i energjisë Shell njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
Me këtë veprim, Shell u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Shell u kritikua shumë në fundjavë, pasi bleu një ngarkesë të naftës së papërpunuar ruse me një çmim të zbritur.
Shefi i kompanisë, Ben van Beurden, tha të martën se blerja e naftës ruse ka qenë gabim.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi ynë javën e kaluar, për të blerë një ngarkesë me naftë bruto ruse, nuk ka qenë i duhuri dhe na vjen keq", tha van Beurden.
Kompania shumëkombëshe e energjisë, Shell, ka selinë në Londër.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Shell bëri hap moral dhe të përgjegjshëm
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se i është mirënjohës gjigantit të energjisë Shell, pas vendimit të tiij për tërheqje nga Rusia.
Shell njoftoi të martën se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
Kuleba e cilësoi këtë si "hap moral dhe të përgjegjshëm".
Në një reagim në Twitter, Kuleba inkurajoi edhe bizneset tjera botërore që të ndjekin shembullin.
Presidenti i Kinës kërkon përmbajtje në Ukrainë
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e përshkroi situatën në Ukrainë si shqetësuese dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
Xi i bëri komentet gjatë një takimi virtual me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, raporton transmetuesi shtetëror kinez CCTV.
Xi tha se prioritet duhet të jetë parandalimi i daljes jashtë kontrollit të situatës në Ukrainë dhe shtoi se të tria vendet duhet t’i mbështesin bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Kina dhe Rusia aktualisht gëzojnë marrëdhënie të ngushta diplomatike.
Pekini nuk e ka dënuar sulmin rus kundër Ukrainës, por ka shprehur “keqardhje” për të.
Në një votim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që dënonte pushtimin e Ukrainës, Kina ka abstenuar.
Për takimin e sotëm virtual, Franca dhe Gjermania nuk kanë komentuar ende.
OKB: Mbi 1,200 civilë të vrarë ose të plagosur
Mbi 1,200 civilë janë vrarë ose plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, thanë të martën Kombet e Bashkuara.
Ky numër, sipas tyre, përfshin 406 njerëz të vrarë dhe 801 të plagosur.
Megjithatë, zëdhënësja e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, paralajmëroi se shifrat “mund të jenë shumë më të larta”.
Shumica e lëndimeve janë rezultat i “sulmeve ajrore dhe i të shtënave me armë”, tha OKB-ja.
Raportohet se një gazetar është vrarë.