Përshëndetje për të gjithë dhe faleminderit që ndiqni blogun e Radios Evropa e Lirë!
Disa nga lajmet e ditës së 13-të të luftës në Ukrainë janë:
- Më shumë se dy milionë njerëz janë larguar nga Ukraina si refugjatë, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.
- Korridore humanitare të evakuimit u paralajmëruan në disa qytete të Ukrainës, por largimi i organizuar i civilëve u konfirmua vetëm në qytetet Irpin dhe Sumi.
- Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia po bombardon një korridor evakuimi nga qyteti jugor i Mariupolit.
- Rusia kërcënoi se do t’i ndërpresë furnizimet e Evropës me gaz, në përgjigje të sanksioneve nga Perëndimi.
- Gjiganti i energjisë Shell njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t'i drejtohet gjatë ditës Parlamentit britanik, përmes video-lidhjes.
- Lufta në Ukrainë mund të rrisë urinë në botë, paralajmëroi kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley.
Shefi i NATO-s bën thirrje për “korridore të vërteta humanitare” në Ukrainë
Civilët duhet të jenë në gjendje të evakuohen në mënyrë të sigurt nga Ukraina, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ukraina ka nevojë për “korridore të vërteta humanitare, që respektohen plotësisht”, tha ai.
Stoltenberg i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për media me presidentin letonez, Egils Levits, në Riga.
Ai tha se raportet “krejtësisht të papranueshme” për sulme ndaj civilëve në Ukrainë janë të besueshme.
“T’i shënjestrosh civilët është krim lufte”, tha Stoltenberg.
Rama paralajmëron vështirësi ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të martën për krijimin e një komiteti ndërministror për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.
"Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet tjera të NATO-s... në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik", tha Rama, duke iu referuar rritjes së furishme të çmimeve të produkteve bazë.
Çmimet kanë qenë në rritje edhe më parë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, por kanë vazhduar të rriten edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt.
Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë.
Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës, tash e sa muaj përballet me krizë energjetike.
Duke e vlerësuar energjinë si “palcën e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik”, Rama tha se kriza energjetike po thellohet “jo çdo muaj, por çdo ditë”.
“Shqipëria është drejtpërdrejt e prekur si vendet e tjera”, tha ai.
“Çmimi i naftës nuk varet nga Qeveria, nuk është Qeveria në tregun e lirë... që ngre çmime apo që ul çmime të mallrave të konsumit. Është tregu dhe tregu është super i ndjeshëm”, shtoi Rama në konferencën për gazetarë.
Ai bëri thirrje për “përgatitje për çdo skenar” me komitetin e ri ndërministror, “përfshirë edhe situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë”.
Moskovitët ndiejnë peshën e sanksioneve
Shumë dyqane, ku ata kanë blerë rroba dhe gjëra të tjera, kanë mbyllur dyert.