Mijëra njerëz evakuohen nga qyteti Irpin
Rreth 3,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti i Ukrainës, Irpin, thanë autoritetet lokale.
Agjencia e mbrojtjes civile tha se evakuimi po vazhdon ende.
Sipas disa raporteve, banorët në këtë qytet nuk kanë pasur as rrymë, as ujë, tash e sa ditë.
Të dielën, së paku tetë persona janë vrarë kur trupat ruse kanë bombarduar një rrugë që civilët e kanë përdorur për të ikur nga bombardimet, kanë thënë autoritetet ukrainase.
Irpini ka pasur rreth 45,000 banorë përpara se të fillonte pushtimi rus, më 24 shkurt.
Lexoni edhe këtë:
Premier Liga pezullon marrëveshjen e transmetimit me Rusinë
Premier Liga pezulloi marrëveshjen e saj të transmetimit me Rusinë, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë, që do të thotë se katër ndeshjet e futbollit, që do të luhen të enjten, nuk do të shfaqen në Rusi.
Vendimi u mor në një takim të 20 klubeve në Londër, që u mbajt të martën.
Premier Liga tha se e dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe se klubet e saj kanë rënë dakord unanimisht për këtë veprim.
“Ne bëjmë thirrje për paqe dhe mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur”, tha Premier Liga në një deklaratë.
Premier Liga është niveli më i lartë në sistemin e ligave angleze të futbollit.
Sezonet e kësaj lige zgjasin nga gushti deri në maj.
OBSH: Sulmet në spitalet e Ukrainës po shtohen ndjeshëm
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se sulmet në spitale, ambulanca dhe objekte të tjera të kujdesit shëndetësor në Ukrainë janë shtuar ndjeshëm ditëve të fundit.
Agjencia e OKB-së tha se të paktën nëntë persona kanë vdekur në 16 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
Ajo nuk tha se kush është përgjegjës për sulmet.
“Ne do të vazhdojmë t'i përditësojmë këto shifra. Ato janë rritur mjaft shpejt gjatë ditëve të fundit”, tha zyrtarja e OBSH-së për urgjenca në Evropë, Catherine Smallwood.
Drejtori për Evropën i OBSH-së, Hans Kluge, tha se organizata po përpiqet ta furnizojë me shpejtësi Ukrainën, ku, siç tha, oksigjeni, insulina, pajisjet mbrojtëse personale, furnizimet kirurgjikale dhe produktet e gjakut po mbarojnë.
Furnizimi me oksigjen, vaksinat e fëmijëve dhe ekspertiza e shëndetit mendor janë ndër prioritetet kryesore të OBSH-së për rajonin, tha Kluge.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë për t’u dhënë përparësi nevojave shëndetësore të grave.
“Konfliktet e kaluara na kanë treguar se vajzat adoleshente, gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë e moshuara janë në situatën më të cenueshme”, tha Kluge.
SHBA-ja ndalon importet e naftës nga Rusia
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori vendim të martën për të ndaluar importet e naftës, gazit dhe thëngjillit rus, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Ai ka thënë se ky veprim nënkupton që “populli amerikan do të përballë me një tjetër goditje" udhëheqësinë e Putinit.
“Ne nuk do të subvencionojmë luftën e Putinit”, ka shtuar Biden, duke iu referuar presidentit rus.
Biden ka thënë se vendimi për të ndaluar importet e naftës është marrë “në konsultime të ngushta” me aleatët.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan ka thënë se pret rritje të çmimeve pas marrjes së këtij vendimi, mirëpo u ka bërë thirrje kompanive të naftës të mos përfshihen në rritje “të mëdha” të çmimeve.
“Do të ketë kosto edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden, mirëpo, sipas tij, ky është çmimi që duhet paguar “për të mbrojtur lirinë”.
Biden ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “duket i vendosur për të vazhduar rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.
Megjithatë, Biden ka thënë se Ukraina “nuk do të jetë kurrë fitore për Putinin”.
Përkundër frikës për rritje të çmimeve të gazit, vendimi i tij është mbështetur paraprakisht nga politikanët tjerë në SHBA.
Megjithatë, ai pritet të mbetet i njëanshëm, i papasuar nga aleatët evropianë, të cilët janë shumë më të varur nga gazi dhe nafta ruse.
Rusia paralajmëroi më herët se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.
BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.
Për krahasim, rreth 8 për qind e importeve amerikane të naftës janë nga Rusia.
SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.
Moska është eksportuesja e tretë më e madhe e naftës dhe çdo vendim për sanksione pritet ta dëmtojë ekonominë e saj.