Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
19:30 8.3.2022

McDonald's mbyll të gjitha restorantet në Rusi

Kompania amerikane, McDonald’s, ka njoftuar se do të mbyllë përkohësisht të gjitha restorantet dhe do të ndalë të gjitha operacionet në Rusi.

Zinxhiri i ushqimit të shpejtë, është shumë i famshëm në Rusi me gati 850 dyqane dhe 62,000 punëtorë.

Kjo kompani është përballur me kritika pse nuk ka ndjekur shembullin e disa zinxhirëve që ofrojnë shërbime të ngjashme, të cilët kanë mbyllur pikat e tyre, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Shefi i McDonald’s, Chris Kempczinski, ka thënë përmes një deklarate se konflikti “ka shkaktuar dhimbje të papërshkrueshme për njerëzit e pafajshëm” dhe “ne do t’i bashkohemi botës për të dënuar agresionin dhe dhunën, duke u lutur për paqe”.

 

20:05 8.3.2022

Çfarë nënkupton ndalesa e SHBA-së në naftën ruse?

Teksa Rusia intensifikon luftën e saj në Ukrainë - duke vrarë civilë dhe duke nxitur krizë të madhe të refugjatëve - presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur të martën, 8 mars, një ndalesë në importet e naftës ruse.

Kritikët e Rusisë kanë thënë se sanksionimi i eksporteve të energjisë do të mund të jetë mënyra më e mirë – ose e vetme – që Moska të tërheqë trupat.

Një embargo e plotë do të ishte më efektive nëse do të përfshinte edhe aleatët evropianë, të cilët po ashtu dëshirojnë që të ndalet dhuna në Ukrainë dhe janë të shqetësuar për rrezikun që përbën Moska në kontinentin evropian.

Megjithatë, ende është e paqartë nëse Evropa do të marrë pjesë në embargo, ndonëse Britania e Madhe ka bërë të ditur të martën se do të heqë dorë gradualisht nga nafta ruse deri në fund të vitit 2022.

Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, sektori i energjisë në Evropë është tejet i varur nga importet e Rusisë, e cila njihet si shteti i dytë më i madh në botë që eksporton naftë të papërpunuar, pas Arabisë Saudite.

Tekstin e plotë e gjeni këtu

 

20:21 8.3.2022

OBSH: Pushtimi i Ukrainës, katastrofë e madhe humanitare

Hans Kluge, drejtor për Evropën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e ka përshkruar pushtimin rus në Ukrainë si “katastrofë të madhe humanitare”.

Ai ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se OBSH ka aktualisht tri prioritete:

  • Të dërgojë furnizime mjekësore në zonat më të prekura të Ukrainës – oksigjen dhe ilaçe tjera për trajtim të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës
  • Për të forcuar sistemet për kujdes shëndetësor në shtetet fqinje të Ukrainës, ku vazhdon të rritet numri i refugjatëve
  • Për të hapur një qendër operacionale të OBSH-së në Ukrainë

Duke folur në një konferencë për media, ai ka thënë të martën se në 13 ditët e pushtimit “ne shohim një sistem shëndetësor nën presion të madh, dhe përtej kufijve të Ukrainës, rritjen më të shpejtë të krizës së refugjatëve në më shumë se 75 vjet”.

Ai ka thënë se 16 sulme janë konfirmuar në shërbimet për kujdes shëndetësor në Ukrainë, duke rezultuar me nëntë viktima dhe dëmtime të objekteve.

21:04 8.3.2022

Paralajmërohet se Putin mund të përshkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, Avril Haines, ka paralajmëruar se sanksionet dhe ndalesat në fushëbetejë, ka pak mundësi të ndalin presidentin rus, Vladimir Putin nga synimi i tij për pushtim të Ukrainës dhe madje mund të rrisin ofensivën e tij në këtë shtet.

Duke folur në një seancë të Kongresit amerikan për kërcënimet e sigurisë globale, Haines ka thënë më 8 mars se përshkallëzimi i kostove të luftës në Ukrainë, që deri tani mund të kenë shkuar në mijëra jetë të humbura të rusëve, mund të zemërojnë Putinin dhe t’ia ndryshojnë këndvështrimin për atë që mund të konsiderohet fitore.

“Analistët tanë vlerësojnë se Putin ka pak mundësi të ndalet nga pengesat në fushëbetejë. Në të kundërtën, ai mund të përshkallëzojë situatën”, ka thënë Haines.

Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë që Moska ka nënvlerësuar aftësinë e Ukrainës për t’u përballur me sulmet dhe se mbetet e paqartë nëse Putin synon të kontrollojë gjithë Ukrainën.

Nëse kjo qëndron, atëherë, sipas SHBA-së, atij do t’i duhet të angazhojë forca shtesë, apo të koncentrohet në zona më të vogla.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG