Polonia, e gatshme të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në dispozicion të SHBA-së
Polonia ka njoftuar se është e gatshme të dorëzojë të gjithë aeroplanët ushtarakë MiG-29 në bazën ajrore amerikane në Gjermani, dhe u ka bërë thirrje vendeve tjera anëtare të NATO-s, që kanë aeroplanë të tillë të prodhuar nga Rusia, që ta bëjnë të njëjtën gjë, ka thënë Ministria e Jashtme polake përmes një deklarate më 8 mars.
Ligjvënësit amerikanë kanë shtyrë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden më 7 mars që të ndërmjetësojë transferimin e aeroplanëve nga Ukraina në Poloni, pas një kërkese që ka bërë më 5 mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
“Autoritetet e Republikës së Polonisë janë të gatshme të dorëzojnë - menjëherë dhe pa kosto shtesë – të gjithë aeroplanët MiG-29 në bazën ajrore Rammstein dhe t’i vendosin në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Ministria.
“Në të njëjtën kohë, Polonia i kërkon SHBA-së që t’i ofrojë aeroplanë të përdorur me kapacitete të ngjashme operacionale. Polonia është e gatshme që menjëherë të diskutojë për kushtet e blerjes së aeroplanëve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar gjatë fundjavës se janë duke punuar në një marrëveshje me Poloninë për ta furnizuar Ukrainën me aeroplanë.
Është raportuar se Polonia do të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në këmbim të aeroplanëve ushtarakë amerikanë.
Zelensky falënderon Bidenin për “goditje në zemër të makinës së luftës së Putinit”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar presidentin amerikan, Joe Biden për vendimin e tij që të pezullojë importet e naftës dhe gazit rus.
Ai u ka bërë thirrje liderëve tjerë botërorë që të veprojnë njëjtë, duke thënë se ky veprim do të godiste “zemrën e makinës së luftës së (presidentit rus, Vladimir) Putinit”.
Më herët gjatë ditës së martë, Zelensky ka mbajtur një fjalim të rrallë në Parlamentin britanik, përmes video-lidhjes, në të cilin ka bërë thirrje për më shumë sanksione të Perëndimit ndaj Rusisë.
Lexojeni tekstin më poshtë për ndikimin e ndalesës amerikane në naftën ruse
Edhe Starbucks pezullon operacionet në Rusi
Starbucks ka thënë se do të pezullojë të gjitha aktivitetet biznesore në Rusi.
Ky vendim vjen pas atij të kompanisë McDonald’s për të mbyllur përkohësisht të gjitha restorantet në Rusi.
Zinxhiri i ushqimit të shpejtë, është shumë i famshëm në Rusi me gati 850 dyqane dhe 62,000 punëtorë.
Zërat e grave në kohë lufte
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë mbledhur rrëfimet e disa grave ukrainase, jeta e të cilave është përmbysur nga lufta, dhe u kanë krijuar krijuar hapësirë që ta tregojnë historinë e tyre në vetën e parë.