Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
23:00 8.3.2022

Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për ditën e 13-të të luftës në Ukrainë.

Rikthehemi sërish të mërkurën, 9 mars, nga ora 07:00.

Ndër zhvillimet kyçe të ditës së martë kanë qenë këto:

  • Shtetet e Bashkuara kanë vënë ndalesë të plotë në importet e naftës dhe gazit rus
  • Rusia më pas ka thënë se do të vendosë ndalesë në eksportin e disa lëndëve të para, ndonëse nuk dihet ende në çka dhe kush do të preket
  • Disa kompani tjera të mëdha kanë thënë se do të pezullojnë punën e tyre në Rusi, përfshirë McDonald’s, Starbucks, Coca-Cola dhe PepsiCo
  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjet për zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë dhe i ka kërkuar Perëndimit më shumë sanksione ndaj Rusisë. Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim historik para Parlamentit britanik, përmes video-lidhjes
  • Polonia ka thënë se është e gatshme të dorëzojë të gjithë aeroplanët ushtarakë MiG-29 në Gjermani dhe t’i vendosë në dispozicion të Qeverisë amerikane
  • Më shumë se dy milionë refugjatë kanë ikur tashmë nga Ukraina, prej nisjes së luftës më 24 shkurt, kanë thënë Kombet e Bashkuara
07:00 9.3.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Po e rikthejmë raportimin e drejtpërdrejtë për situatën në Ukrainë.

Të mërkurën, 9 mars, ky vend po përballet me ditën e 14-të të luftës.

Ndër zhvillimet kyçe të orëve të para të mëngjesit kanë qenë këto:

  • Ka pasur raportime për sirena në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev
  • Evakuimet nga qyteti verilindor Sumi janë kryer me sukses. Guvernatori i qytetit ka thënë se 5,000 persona besohet se janë larguar nga ky qytet në dy fazat e evakuimit
  • Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur me bombardime të ashpra në ditët e fundit. Vetëm të hënën, 22 persona kanë vdekur – përfshirë tre fëmijë – si pasojë e sulmeve ajrore ruse, kanë thënë zyrtarët lokalë
  • Tentime të ngjashme kanë dështuar në Çernihiv, sepse Rusia ka vazhduar të bombardojë rrugët dalëse, ka pretenduar Ukraina.
  • Rusia ka bërë të ditur për një tjetër armëpushim, kanë raportuar mediat ruse
  • Sipas Moskës, korridoret do të jenë të hapura në Kiev, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol nga ora 10:00 sipas kohës lokale. Ky është njoftimi i tretë për armëpushime – ndonëse shumica kanë dështuar.
07:13 9.3.2022

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen në Turqi

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, do të takohen në Turqi, ka konfirmuar Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ky do të jetë takimi i parë mes tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov do të marrë pjesë në një forum diplomatik ndërkombëtar në Antalia dhe “kontakti” i tij me Kuleban planifikohet të ndodhë atje, ka raportuar agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Takimi ishte propozuar nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, sipas të cilit takimi do të mbahej në format trelateral, me të, Kuleban dhe Lavrovin në një tavolinë.

Deri më tani është raportuar se takimi do të ndodhë më 10 mars, derisa forumi diplomatik do të nisë më 11 mars.

Bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës kanë qenë sfiduese deri më tani, pasi ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Delegacionet e të dyja palëve kanë zhvilluar tri runde të negociatave në Bjellorusi.

07:29 9.3.2022

Shefi i CIA-s: Putini kishte planifikuar kontrollin e Kievit brenda dy ditësh

Presidenti rus, Vladimir Putin ka planifikuar marrjen e kontrollit të Kievit brenda dy ditësh, ka thënë shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, William Burns.

Duke folur në një seancë para Kongresit amerikan, Burns u ka thënë ligjvënësve se mendon që Putin është i zemëruar tani.

“Ai ka mundësi që të rrisë përpjekjet për të rrëzuar ushtrinë ukrainase, pavarësisht viktimave civile”.

Burns ka thënë se Putin e ka përfshirë veten në një kombinim shpërthyes të “ankesave dhe ambicieve për shumë vjet”.

Shefi i CIA-s, William Burns.
Shefi i CIA-s, William Burns.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG