Save the Children: 800,000 fëmijë në mesin e 2 milionë refugjatëve nga Ukraina
Agjencia ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, Save dhe Children, ka thënë se vlerësohet që 800,000 fëmijë janë në mesin e dy milionë personave që kanë ikur nga Ukraina, prej nisjes së pushtimit rus.
Shumica prej tyre janë duke bërë rrugën pa u shoqëruar nga askush, ka paralajmëruar Agjencia.
“Prindërit janë duke zbatuar masat më zemërthyese për të mbrojtur fëmijët e tyre. Kjo përfshin largimin e fëmijëve të tyre me fqinjët dhe miqtë nga Ukraina, derisa ata qëndrojnë në Ukrainë për të mbrojtur shtëpitë”, ka thënë Irina Saghoyan nga Save the Children.
Më shumë se gjysma e refugjatëve që largohen nga Ukraina janë duke shkuar në Poloni dhe më pas në Hungari e Sllovaki.
Mbretëria e Bashkuar mund të ndalojë tani aeroplanët rusë
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar sanksione të reja që prekin aeroplanët rusë dhe eksportet e teknologjisë hapësinore dhe ato të aviacionit.
Këto masa, të cilat janë bërë të ditura nga Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, do t’i japin autoritet Qeverisë që të ndalojë aeroplanët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ta bëjnë shkelje penale aktivitetin e tyre në hapësirën ajrore të këtij shteti.
Truss ka thënë se ndryshimet do të rrisin “dhimbjen ekonomike ndaj Rusisë dhe ndaj atyre që janë të afërt me Kremlinin”.
Zgjerimi i sanksioneve nuk shënjestron aeroplanët që janë në pronësi të Rusisë, pasi atyre veçse u është ndaluar fluturimi mbi Mbretërinë e Bashkuar.
Sanksionet e reja do të adresojnë “zonën gri” të aeroplanëve privatë, të cilët janë të regjistruar në shtete të treta, mirëpo janë në pronësi të rusëve të pasur.
SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë aeroplanët MiG-29 për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.
Shtetet e Bashkuara kanë synim që të rrisin dërgesat e armëve në Ukrainë, mirëpo ideja e dërgimit të aeroplanëve luftarakë nga territori i NATO-s në një zonë lufte, “ngre shqetësime serioze për gjithë aleancën e NATO-s”, ka thënë Pentagoni.
NATO-ja ka thënë se nuk dëshiron konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe presidenti amerikan, Joe Biden ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të luftuar në Ukrainë.
“Thjesht është e paqartë për ne nëse ka arsye racionale për këtë gjë”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, duke komentuar propozimin e Polonisë.
“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Poloninë dhe aleatët tjerë të NATO-s për këtë çështje, dhe sfidat logjistike që bart me vete, mirëpo nuk besojmë se propozimi i Polonisë është i pranueshëm”.
Ministria e Jashtme e Polonisë, ka bërë të ditur të martën se është e gatshme të dorëzojë aeroplanët MiG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t’i vendosë ata në dispozicion në Shteteve të Bashkuara.
Ajo u ka bërë thirrje edhe vende tjera anëtare të aleancës që të veprojnë njëjtë.
Mirëmëngjesi për ju që na jeni bashkuar tani!
Kjo është përmbledhja e zhvillimeve të fundit të luftës në Ukrainë
- Rusia ka konfirmuar që ministri i saj i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, do të takohen të enjten në Turqi, në takimin e parë prej pushtimit rus
- Rreth 5,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti verilindor, Sumi, pasi Rusia është pajtuar për të ndalur bombardimet
- Guvernatori i qytetit ka thënë se korridori humanitar do të mbetet i hapur edhe të mërkurën
- Moska është pajtuar për një tjetër armëpushim për të mundësuar ikjet e civilëve në qytetet që sulmohen, kanë raportuar mediat ruse. Korridoret do të hapen sërish për Kievin, Çernihivin, Sumin, Harkivin dhe Mariupolin në orën 10:00, sipas kohës lokale.
- Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.
- Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditura sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat u japin autoritetet ministrave që të ndalojnë aeroplanët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ta bëjnë shkelje penale fluturimin apo aterrimin e tyre në territorin britanik.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur ndalesën e plotë ndaj importeve të naftës, gazit dhe thëngjillit rus.
- McDonals’s, Starbucks dhe Coca-Cola janë kthyer në kompanitë e fundit të Perëndimit që pezullojnë bizneset e tyre në Rusi