Rusia pretendon se ka “dëshmi” të reja që Ukraina ka planifikuar sulm në Donbas
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se ka siguruar dokumentet sekrete që “vërtetojnë” se Kievi ka qenë duke planifikuar një sulm ndaj separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Agjencia e lajmeve, Reuters, ka thënë se Ministria ka publikuar gjashtë faqe me dokumente që “dëshmojnë” planet e Kievit për sulm ushtarak në Donbas.
Reuters ka thënë se nuk ka verifikuar këto dokumente – të shkruara në gjuhë ukrainase – në të cilat përmenden përgatitje ushtarake për njësitet ushtarake taktike.
Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin ka njohur dy rajonet e mbështetura nga Rusia në lindje të Ukrainës - Donjeck dhe Luhansk – si shtete të pavarura.
Ai ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse në këto dy rajone, para se të niste luftën në Ukrainë.
Nënpresidentja amerikane viziton Poloninë dhe Rumaninë
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris pritet të arrijë më 9 mars në Poloni për të diskutuar me zyrtarët e këtij shteti pushtimin rus në Ukrainë dhe ndikimin që ka lufta në këtë rajon.
Gjatë udhëtimit të saj nga 9 deri më 11 mars, Harris do të vizitojë edhe vendin tjetër anëtar të NATO-s, Rumaninë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se agjenda e nënpresidentes në Varshavë dhe Bukuresht pritet të fokusohet në ndihmën ekonomike, humanitare dhe asaj të sigurisë për Ukrainën.
Polonia është duke iu ndihmuar rreth 1.2 milion ukrainasve që i kanë ikur luftës.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur më shumë se dyfish prezencën ushtarake në Poloni – 9,000 trupa në total – javëve të fundit.
HRW lavdëron përgjigjen e BE-së ndaj refugjatëve ukrainas
Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, ka thënë se solidariteti dhe empatia e Bashkimit Evropian për njerëzit që po i ikin luftës në Ukrainë, janë të mrekullueshme.
Judith Sunderland, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, ka përmendur sesi shtetet kanë hapur dyert për refugjatët dhe janë ngutur për të dërguar ushqim për ta.
“Bashkimi Evropian, si bllok, ka vepruar shpejt për t’iu garantuar mbrojtje të gjithë ukrainasve dhe ka aktivizuar për herë të parë një direktivë të vitit 2001, e cila ka krijuar mekanizma që njerëzit të qëndrojnë, punojnë dhe fëmijët të shkollohen brenda BE-së, pa vonesa dhe procedura burokratike”.
Megjithatë, Sunderland, ka pyetur pse nuk është aktivizuar kjo direktivë më 2015, kur më shumë se një milion sirianë, afganë dhe irakianë kanë arritur në brigjet evropiane.
“Mos harroni që edhe kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit vitin e kaluar, retorika evropiane ka qenë për të mbajtur afganët në rajon, dhe jo për të zgjatur dorën e sigurisë”.
Sipas saj, tani është koha që BE-ja të ndryshojë politikat e azilit dhe migracionit, të cilat sipas HRW-së diskriminojnë në mënyrë jopropocionale personat me ngjyrë.
“Kjo krizë na ka treguar se Evropa mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme, nëse tenton”, ka thënë mes tjerash Sunderland.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy milionë banorë të Ukrainës janë larguar nga ky shtet drejt vendeve fqinje.
Prej tyre, mbi një milion gjenden në Poloni.
“1.3 milion njerëz kanë ikur në Poloni”
Rreth 1.3 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni, prej pushtimit rus në Ukrainë, ka thënë Agjencia kufitare polake.
Në një postim në Twitter të mërkurën, Agjencia ka thënë se në mesin e njerëzve që kanë hyrë në Poloni, 93 për qind janë shtetas ukrainas, 1 për qind janë polakë dhe 6 për qind janë qytetarë të pothuajse 100 shteteve tjera.
Sipas saj, vetëm të martën, 125,800 njerëz kanë kaluar kufirin, për dallim nga rekordi i së dielës, 142,300.
Vetëm në mëngjesin e së mërkurës, në Poloni kanë hyrë 33,500 njerëz.
Polonia është shtëpia e shumë ukrainasve dhe shumë refugjatë është thënë se janë duke qëndruar te familjarët apo miqtë që kanë aty.
Mijëra polakë janë po ashtu nikoqirë të refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 2 milionë refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë prej shpërthimit të saj më 24 shkurt.