Rusët ia mësyjnë Armenisë për shkak të luftës në Ukrainë
Sulmi i paprovokuar dhe i përgjakshëm i presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, e ka kthyer Rusinë në një shtet të izoluar ndërkombëtarisht, duke komplikuar udhëtimin, pasi 33 shtete – përfshirë të 27 shtetet e Bashkimit Evropian – kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për transportuesit rusë.
Disa shtetas rusë që kanë arritur në Armeni, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se miqtë dhe të njohurit e tyre në Rusi, ose po mendojnë që të largohen nga vendi, ose veçse e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas tyre, kjo po ndodh kryesisht për shkak të shtrëngimit të sanksioneve perëndimore për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Lexojeni artikullin e plotë në linkun më poshtë.
Kanadaja do t’i dërgojë Ukrainës pajisje tjera ushtarake
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i ka thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy gjatë një bisede telefonike se Kandaja do t’i dërgojë Ukrainës pajisje tjera shumë të specializuara ushtarake.
Truedau ka thënë përmes një postimi në Twitter se e ka ftuar Zelenskyn që t’i adresohet Parlamentit kanadez.
Borrell: BE-ja është duke punuar në sanksione të reja për gati 100 rusë
Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë duke u përgatitur për një rund të ri të ndalesave në udhëtim dhe ngritjes së aseteve për gati 100 rusë, pas sulmit rus në Ukrainë, ka thënë Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Sipas tij, vendimi do të bëhet publik më vonë gjatë ditës së mërkurë.
“Shtetet anëtare janë duke punuar në një paketë të sanksioneve ku janë të përfshirë rreth 100 njerëz përgjegjës në nivele të ndryshme të Qeverisë”, ka thënë Borrell para Parlamentit Evropian në Strasburg.
Kosova pezullon përkohësisht vizat për qytetarët e Ukrainës
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullim të përkohshëm të regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës, që mund të hyjnë në territorin e Kosovës.
Ky vendim është marrë të mërkurën, 9 mars, pas kërkesës së ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Qeveria e Kosovës ka shprehur më parë gatishmëri dhe ka ndarë mjetet financiare për të strehuar 20 gazetarë nga Ukraina.
Ky vendim ka hapur rrugën për nisjen e procesit të përzgjedhjes së këtyre gazetarëve nga dy organizatat ndërkombëtare: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).