"Fëmijët tanë po vdesin": Banorja e Harkivit kërkon ndalimfluturim mbi Ukrainë
Në një intervistë emocionale për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, banorja e Harkivit, Yulia Sukhovyeyeva, i ka bërë thirrje botës që të vendosë zonë ndalimfluturimi mbi Ukrainë, për të ndaluar bombardimet nga forcat ruse. Yulia është një ndër miliona ukrainas që po ikin nga vendi për t’i shpëtuar luftës. Sapo ta nxjerrë fëmijën e saj jashtë, në një vend të sigurt, ajo thotë se planifikon të kthehet në qytetin e saj, ku prindërit e saj vazhdojnë të qëndrojnë, dhe ku forcat ruse po sulmojnë rregullisht.
Holanda: Evropa nuk mund të ndalë naftën dhe gazin rus menjëherë
Kryeministri holandez, Mark Rutte ka thënë të mërkurën se nuk është në favor të ndaljes së furnizimeve me naftë dhe gaz rus, pasi një gjë e tillë do të ishte e paqëndrueshme për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ne duhet të diskutojmë dobësitë tona në lidhje me varësinë nga nafta dhe gazi rus. Unë nuk do të kërkoja sot ndërprerjen e furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia, nuk është e mundur, sepse ne kemi nevojë për furnizime dhe kjo është e vërteta e pakëndshme”, ka thënë Rutte në një konferencë të përbashkët për media me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.
“Mirëpo ne mund të bëjmë më shumë për të zhvilluar agjendën tonë të gjelbër, për të dekarbonizuar ekonomitë tona”, ka shtuar ai.
Evropa merr rreth 40 për qind të gazit natyror nga Rusia për ngrohje të shtëpive, rrymë dhe përdorim nga industri të ndryshme.
Ky vend plotëson edhe një çerek të kërkesave të Evropës sa i përket naftës.
Ukraina kërkon armëpushim pas ndërprerjes së rrymës në Çernobil
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Rusisë që të pajtohet për armëpushim, në mënyrë që të kryhen riparime në centralin bërthamor të Çernobilit, vendi ku ka ndodhur katastrofa më e madhe bërthamore.
Ky central është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik dhe ka shqetësime për rrjedhje të rrezatimit.
Kompania ukrainase e Energjisë, Ukrenergo, ka thënë më 9 mars se rryma është ndalur në central për shkak të një ndërprerjeje të linjës elektrike që lidh centralin bërthamor të Çernobilit me furnizuesin e energjisë elektrike në Kiev.
Kjo ndërprerje rrezikon rreth 20 tonë mbetje që duhet të ftohen vazhdimisht për të parandaluar rrjedhjet që potencialisht mund të rrezikojnë “Ukrainën, Bjellorusinë, Rusinë dhe Evropën”.
“E gjithë linja e furnizimit në centralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet bërthamore, të kontrolluara nga ushtria ruse, janë dëmtuar”, ka thënë Kuleba në Twitter.
“Çernobili është pa rrymë. I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar që t’i kërkojnë Rusisë armëpushim të menjëhershëm dhe të mundësojnë riparimet sa më shpejt që është e mundur”, duke theksuar se gjeneratorët kanë kapacitet të ftohjes për 48 orë, dhe më pas sistemet mund t’i bëjnë rrjedhjet e rrezatimit “të pashmangshme”.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, forcat ruse kanë marrë kontrollin e Çernobilit.
Zhvillimet kyçe të ditës së 14-të të luftës në Ukrainë:
- Moska ka thënë se ka hapur korridoret humanitare, në mënyrë që njerëzit të largohen nga Kievi dhe katër qytete tjera ukrainase, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol
- Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë thënë se do të ndalin luftimet për 12 orë për të mundësuar kalim të lirë nëpër korridoret humanitare
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të takohet të enjten në Antalia me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba
- Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Rusisë që të pajtohet për armëpushim, në mënyrë që të kryhen riparime në centralin bërthamor të Çernobilit, vendi ku ka ndodhur katastrofa më e madhe bërthamore. Ky central është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik dhe ka shqetësime për rrjedhje të rrezatimit.
- Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë verifikuar 474 vdekje të civilëve dhe 861 persona të plagosur në Ukrainë, por shifra besohet se është më e lartë
- Ukraina ka thënë se ka vrarë më shumë se 11,000 trupa ruse. Rusia ka konfirmuar rreth 500 humbje. Asnjëra palë nuk ka përmendur viktimat ukrainase
- Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2.1 milionë njerëz i kanë ikur luftës në Ukrainë. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në Poloni. Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka thënë se tani fokusi duhet të jetë në ofrimin e ndihmës për refugjatët në kufij
- Kremlini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se i kanë shpallur luftë ekonomike Rusisë
- Bashkimi Evropian është pajtuar për të zgjeruar sanksionet ndaj zyrtarë dhe oligarkëve rusë, si dhe tri bankave bjelloruse
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nëse nuk shpallet zona e ndalim-fluturimit për të mbrojtur Ukrainën, komuniteti ndërkombëtar do të jetë përgjegjës për katastrofë të madhe humanitare
- Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus
- Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditura sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat u japin autoritetet ministrave që të ndalojnë aeroplanët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ta bëjnë shkelje penale fluturimin apo aterrimin e tyre në territorin britanik
- Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i ka thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike se Kandaja do t’i dërgojë Ukrainës pajisje tjera shumë të specializuara ushtarake.
- Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se nuk është në favor të ndaljes së furnizimeve me naftë dhe gaz rus, pasi një gjë e tillë do të ishte e paqëndrueshme për vendet anëtare të Bashkimit Evropian