BE-ja shton në listën e sanksioneve edhe 160 shtetas rusë
Bashkimi Evropian të mërkurën ka shtuar edhe 160 oligarkë dhe ligjvënës rusë në listën e sanksioneve. Sanksionet kanë në shënjestër kripto-asetet dhe sektorin detar. Këto masa janë vazhdimësi e ndëshkimeve të bllokut ndaj Moskës e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Blloku evropian po ashtu tha se tri banka bjelloruse do të largohen nga sistemi i mesazheve SWIFT, për shkak të mbështetjes së Minskut për sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës.
“Ne po shtrëngojmë edhe më tej sanksionet në përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrianës”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratën e BE-së u tha se 146 anëtarë të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus dhe 14 oligarkë të lidhur me Kremlinin dhe familjarët e tyre, janë futur në listën e ngrirjes së aseteve dhe kufizimeve të lëvizjes.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Evakuimi nga Irpini
Më 9 mars, Rusia dhe Ukraina janë pajtuar që të hapin korridore humanitare, për t'iu mundësuar civilëve të largohen.
Në Irpin, afër kryqytetit ukrainas, Kiev, banorët janë ndihmuar edhe nga forcat ukrainase për t'u evakuuar.
OKB: Mbi 500 civilë të vrarë në Ukrainë
Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ka verifikuar 1,424 viktima civile që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dy javë më parë.
Sipas OKB-së, 516 persona janë vrarë dhe 908 janë plagosur, por Zyra për të Drejtat e Njeriut beson se numri real i viktimave “është shumë më i lartë”.
OKB tha se shumica e viktimave janë shkaktuar nga armët shpërthyese, përfshirë granatimet, sulmet ajrore dhe ato me raketa.
Kombet e Bashkuara thanë se të dhënat për viktimat nga qytetet Volnovaha, Mariupol dhe Izium ende duke janë duke u verifikuar, pas pretendimeve se në këto qytete janë vrarë qindra civilë.
Rusia mohon se po shënjestron civilët në Ukrainë.
SHBA-ja dënon përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë e ka dënuar përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve, pasi sulmet ajrore ruse goditën një spital të fëmijëve dhe maternitetin në Mariupol të Ukrainës.
“Është e tmerrshme të shohësh këtë lloj të përdorimit barbar të forcës ushtarake kundër civilëve të pafajshëm në një shtet sovran”, tha Sekretarja për Media, Jen Psaki.
Në sulmin ajror në Mariupol janë plagosur të paktën 17 persona, tha një zyrtar ukrainas.
Lajmin e plotë e gjeni KËTU