Mbretëria e Bashkuar thotë se disa ushtarë të saj mund të kenë shkuar në Ukrainë
Një numër i vogël i ushtarëve britanikë nuk i janë bindur urdhrave dhe mund të kenë shkuar për të luftuar në Ukrainë, konfirmoi Ushtria britanike.
Ushtarët që po mungojnë pa leje mund të kenë shkuar në Ukrainë “në kapacitete private”, tha Ushtria.
“Ne në mënyrë aktive dhe të fuqishme i inkurajojmë ata të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar”, tha një zëdhënës i Ushtrisë britanike.
Ushtria ka thënë se gjithë personelit i është i ndaluar që të udhëtojë për në Ukrainë deri në një njoftim të ri.
OKB: Objektet shëndetësore kurrë nuk duhet të shënjestrohen
Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po bëjnë thirrje për “ndalimin e menjëhershëm të sulmeve nga shtëpive të kujdesit, spitaleve, punëtorëve shëndetësorë dhe ambulancave”.
“Asnjëra nga këto nuk duhet asnjëherë të shënjestrohet”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Ai tha se OKB-ja po ndjek me vëmendje raportimet për sulmin “shokues” ndaj maternitetit dhe spitalit të fëmijëve në Mariupol.
Nga ky sulm, që ndodhi më 9 mars, është raportuar se janë plagosur të paktën 17 persona.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se deri më tani ka verifikuar të paktën 18 sulme ndaj objekteve shëndetësore, që prej se pushtimi rus i Ukrainës nisi dy javë më parë.
OBSH-ja tha se në këto sulme janë vrarë të paktën dhjetë persona dhe janë plagosur 16 të tjerë.
Harris arrin në Poloni midis mospajtimeve për furnizimin e Ukrainës me avionë
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, arriti në Poloni më 9 mars. Gjatë vizitës dyditore, ajo do të qëndrojë në Poloni dhe Rumani, ku do të bisedojë për pushtimin rus të Ukrainës dhe për ndikimin që po ka kjo luftë në rajon.
Vizita e Harris në Varshavë të Polonisë vjen në kohën e një mosmarrëveshjeje të papritur diplomatike lidhur me furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë.
Qeveria polake më 8 mars doli me një plan që të transferojë në bazën amerikane në Gjermani, avionët e saj të prodhimit rus, MiG-29, në mënyrë që ato më pas t’iu jepen pilotëve ukrainas për të luftuar me forcat ruse. Në këmbim, SHBA-ja do ta furnizonte Poloninë me avionët e prodhimit amerikan.
Por, Polonia nuk e kishte ndarë paraprakisht këtë ide me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, para se ta bënte publike. Prandaj, Pentagoni menjëherë e hodhi poshtë këtë ide si të paqëndrueshme.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ushtria ukrainase: Rusia ka arrestuar 400 persona në Herson
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës ka pretenduar se qindra persona janë arrestuar nga forcat ruse gjatë protestave në qytetin Herson, që ka rënë nën kontrollin e Rusisë.
Ukraina pretendon se Rusia ka arrestuar mbi 400 persona në qytetin jugor ukrainas.
Banorët e këtij qyteti, që është nën kontrollin rus, kanë protestuar gjatë fundjavës kundër trupave ruse.
“Për shkak të rezistencës së fortë të banorëve të Hersonit, okupatorët kanë tentuar që të vendosin një regjim policor dhe kanë arrestuan jashtëligjshëm mbi 400 shtetas të Ukrainës”, thanë zyrtarët në Kiev.
*Video: Protesta e banorëve të Hersonit kundër trupave ruse