Zelensky: Perëndimi të veprojë ose miliona njerëz mund të vdesin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “miliona persona” mund të vdesin nëse bota nuk e ndihmon Ukrainën para se të jetë “shumë vonë”.
Në një intervistë për Sky News, Zelensky ripërsëriti kërkesën e tij që liderët perëndimorë të vendosin një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën.
Duke iu bërë thirrje liderëve botërorë që të veprojnë shpejt, ai tha: “Mos më prisni mua që unë t’ua kërkoj disa herë, mijëra herë, mbylleni qiellin”.
Shtetet perëndimore, përshirë Shtetet e Bashkuara, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një zone të ndalim-fluturimit, pasi kjo gjë mund t’i fusë ato në konflikt direkt me Rusinë.
Zelensky tha se shtetet perëndimore mund të krijojnë një zonë të ndalim-fluturimit, por atëherë do të ketë nisur “Lufta e Tretë Botërore” dhe sipas tij, “do të jetë shumë vonë”.
“Më besoni, nëse prolongohet në këtë mënyrë, do ta shihni... ata do ta mbyllin qiellin, por ne do të humbim miliona njerëz”.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për ngjarjet në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni, të përmbledhura, disa prej ngjarjeve kryesore të ditës së 14-të të luftës në Ukrainë:
- Forcat ruse sulmuan një maternitet dhe spital fëmijësh në Mariupol, duke plagosur të paktën 17 persona. Autoritetet thanë se dëmet ishin “kolosale”
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti “mizori” sulmin në Mariupol, SHBA-ja tha se dënon përdorimin “barbar” të forcës ndaj civilëve ukrainas, ndërkaq Britania tha se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës “për krimet e tij të tmerrshme”
- Miliona persona në Ukrainë mund të vdesin nëse Perëndimi nuk reagon duke krijuar një zonë të ndalim-fluturimit, paralajmëroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky
- OKB-ja tha se ka konfirmuar mbi 500 vdekje të civilëve në Ukrainë, por shtoi se beson se numri real i viktimave “është shumë më i lartë”
- Në bazë të një marrëveshjeje, në disa qytete ukrainase janë hapur korridoret humanitare, duke mundësuar evakuimin e civilëve ukrainas
- SHBA-ja ka hedhur poshtë idenë e Polonisë që avionët e saj MiG-29 t’i dorëzohen SHBA-së në bazën e saj në Gjermani, në mënyrë që më pas të mund t’iu dorëzohen forcave ajrore ukrainase
- Për çështjen e avionëve MiG-29 pritet të bisedojë me autoritetet polake nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e cila arriti më 9 mars në Varshavë
- Britania tha se po vazhdon dërgesat e armëve në Ukrainë, përfshirë armë kundërtanke dhe kundërajrore
- BE-ja ka zgjeruar listën e sanksioneve, duke përfshirë edhe 160 shtetas rusë: 146 anëtarë të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus dhe 14 oligarkë të lidhur me Kremlinin
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rikthejmë raportimin e drejtpërdrejtë për situatën në Ukrainë.
Raportohet për rreth 6.000 ushtarë rusë të vrarë që nga fillimi i luftimeve në Ukrainë
Vlerësimi zyrtar i SHBA-së për numrin e rusëve të vrarë në dy javët e para të luftës është rreth 5,000 deri në 6,000, thonë zyrtarët amerikanë, raporton BBC.
Numri i trupave ruse të plagosur vlerësohet të jetë rreth 15,000 deri në 18,000, duke u nisur nga supozimet se shkalla e të plagosurve është zakonisht trefishi i shifrës së të vrarëve.
Një zyrtar amerikan që dëshironte të mbetej anonim e quajti këtë projeksion "viktima, shumë, shumë domethënëse" dhe e krahasoi shkallën e vdekjeve me disa beteja të Luftës së Dytë Botërore.
Ukraina ka pohuar se 12,000 ushtarë rusë kanë vdekur në luftime. Javën e kaluar Rusia tha se më pak se 500 trupa të saj kishin vdekur në Ukrainë.
Zelensky: 35 mijë njerëz u shpëtuan përmes korridoreve humanitare
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se "në total pothuajse 35,000 njerëz u shpëtuan" përmes korridoreve humanitare të krijuara të mërkurën.
“Sot ne ishim në gjendje të organizonim tri korridore humanitare: nga qyteti Sumi, nga qyteti i Kievit me rajon dhe nga Enerhodari”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet do të vazhdojnë të enjten.
Zelensky tha se autoritetet ukrainase po përgatisin gjashtë korridore humanitare për t'i larguar njerëzit nga zonat e sulmuara nga forcat ruse.