Roman Abramovich sanksionohet nga Britania e Madhe
Pronari i klubit anglez të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, dhe gjashtë oligarkë të tjerë rusë janë sanksionuar nga Britania e Madhe.
Në vendimin për sanksionim bëhet e ditur se do të bëhet ngrirja e aseteve, duke përfshirë klubin e futbollit Chelsea.
Abramovich ka qenë në qendër të kritikave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, për lidhjet e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Sanksionet vlerësohet të jenë rreth 20 miliardë dollarë, tha Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Kuleba: Asnjë përparim për armëpushim
"Nuk është arritur ndonjë përparim për armëpushim", tha ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në Turqi.
Ministri Kuleba tha se shpreson se Rusia do të lejojë funksionimin e korridoreve humanitare.
Ai tha se është i gatshëm për takime të tjera në të ardhmen.
"Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet", tha ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergeri Lavrov, tha se Rusia është e gatshme të diskutojë me Ukrainën për garanci në çështje të sigurisë.
Lavrov: Perëndimi po sillet në mënyrë të rrezikshme
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të enjten se shtetet perëndimore po sillen në mënyrë të rrezikshme sa i takon situatës së Ukrainës duke shtuar se operacioni ushtarak i Rusisë atje po shkonte sipas planit.
Lavrov tha në një konferencë për media pas bisedimeve me homologun e tij ukrainas se Perëndimi po krijonte një rrezik në rajon që mund të vazhdon për shumë vite dhe se ata që furnizuan me armë Ukrainën dhe mercenarët atje duhet të kuptojnë rrezikun e asaj që po bëjnë.
Lavrov nuk e përjashton takimin Zelensky – Putin
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të enjten se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të refuzonte një takim me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar çështje specifike.
Lavrov e bërë këtë koment në konferencën për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba në Turqi.
Ditë më parë, presidenti ukrainas, Zelensky, ka kërkuar një takim me presidentin rus, Putin.