Scholz dhe Macron kërkojnë armëpushim në Ukrainë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkuan armëpushim të menjëhershëm gjatë një bisede telefonike që ata patën me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, tha një zyrtar i Qeverisë gjermane.
Macron dhe Scholz, gjithashtu, i thanë Putinit se çdo zgjidhje për luftën në Ukrainë duhet të arrihet përmes negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, tha zyrtari gjerman.
Të tre ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë në ditët në vijim, shtoi zyrtari gjerman.
Përmbledhje e ngjarjeve të zhvilluara sot deri në mesditë në lidhje me Ukrainën:
- Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan paraditen e së enjten në Ankara të Turqisë.
- Në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje, as për armëpushim e as për korridore humanitare.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se pajtohet për takime të ardhshme me palën ruse.
- "Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet", tha Kuleba.
- Ndryshe, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi shtetet perëndimore pas takimit.
- Lavrov tha se Perëndimi po vepron rrezikshëm kur po i vendos sanksione Rusisë, si dhe kur po armatos Ukrainën.
- Lavrov tha se nuk beson se përplasja e Rusisë me Perëndimin për Ukrainën do të çonte në luftë bërthamore. "Unë nuk dua të besoj dhe nuk besoj se një luftë bërthamore mund të fillojë", tha ai.
- Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkuan armëpushim të menjëhershëm gjatë një bisede telefonike që patën me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, tha një zyrtar i Qeverisë gjermane.
- Luftimet po vazhdojnë në Ukrainë, ndërkohë raportohet se avancimi i forcave ruse ka hasur në rezistencë.
- Një zyrtar i SHBA-së tha se llogaritet se rreth 6,000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani në Ukrainë.
- U konfirmua vrasja e tre personave, në mesin e tyre një fëmijë, nga sulmi rus mbi një spital fëmijësh në Mariupol.
Ushtria ukrainase thotë se mposhti një regjiment rus
Ushtria ukrainase pretendon se ka mposhtur një regjiment trupash ruse dhe ka eliminuar komandantin e tyre, kolonelin A. Zakharov, në Brovary, që është në verilindje të Kievit, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.
"Komandanti i regjimentit të pushtuesit, kolonel Zakharov, u likuidua. Gjatë betejës në rrethin Brovary të rajonit të Kievit, grupi taktik i batalionit (BTGr) i regjimentit të 6-të të tankeve (Chebarkul) të divizionit të 90-të të tankeve të Komandës Qendrore pësoi humbje të konsiderueshme të personelit dhe pajisjeve”, shkroi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në Twitter.
Klitschko: Gjysma e popullsisë së Kievit është larguar
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë të enjten se gjysma e popullsisë së kryeqytetit ukrainas është larguar që nga fillimi i pushtimit rus.
"Diku më pak se dy milionë njerëz janë larguar aktualisht. Megjithatë, Kievi është shndërruar në një kështjellë. Çdo rrugë, çdo ndërtesë, çdo pikë kontrolli është fortifikuar", tha Klitschko.
Kievi ka një popullsi prej rreth 3.5 milionë banorësh.