SHBA mbështet hetimin e krimeve ruse në Ukrainë
Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, deklaroi të enjten në Poloni se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.
Imazhet nga Ukraina treguan qartë mizoritë që po ndodhin, edhe para se një hetim të përcaktojë se si t'i quajmë ato, deklaroi Harris.
"Absolutisht, duhet të ketë një hetim dhe ne të gjithë duhet ta vëzhgojmë", deklaroi Harris, duke vënë në dukje se Kombet e Bashkuara kanë filluar tashmë një proces për të shqyrtuar akuzat.
Avionët për Ukrainën dhe frika për një konfrontim NATO-Rusi
Uashingtoni ka refuzuar propozimin e Varshavës për transferimin e avionëve polakë luftarakë MiG-29 në Ukrainë përmes bazës ushtarake amerikane në Gjermani, teksa Perëndimi po tenton të gjejë mënyra për ta ndihmuar Kievin që t’i kundërvihet pushtimit rus, por ka frikën e përfshirjes në një luftë me Moskën, e cila ka armë bërthamore.
Janë disa aleatë të NATO-s që po e shqyrtojnë mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë. Që prej 24 shkurtit, Ukraina po sulmohet nga Rusia përmes ajrit, detit dhe tokës.
Për më shumë lexoni këtu.
Zelensky diskuton për luftën me Johnsonin dhe Macronin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se ka diskutuar mbështetjen e mëtejshme britanike për Ukrainën me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Ai ka përmendur në postimin e tij në Twitter edhe bisedimet e paqes me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Vazhdimi i dialogut me liderët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. I informova për krimet e reja të Rusisë kundër njerëzve”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Të paktën 71 fëmijë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës
Që nga 24 shkurti kur filloi pushtimi rus në Ukrainë janë vrarë të paktën 71 fëmijë dhe më shumë se 100 janë plagosur, tha të enjten një zyrtar i Parlamentit ukrainas.
Ky numër i viktimave u dha mes zemërimit për bombardimin që ndodhi të mërkurën në një spital fëmijësh në Mariupol, për të cilin zyrtarët thanë se vrau tre persona, duke përfshirë një vajzë të re.
“Që nga fillimi i pushtimit rus deri sot (10 mars), janë vrarë 71 fëmijë dhe më shumë se 100 janë plagosur”, ka shkruar një mesazh në Telegram, Lyudmyla Dnisova, përfaqësuese për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas.